Zëvendësndihmës-sekretari amerikan për Çështje të Evropës dhe Euro-Azisë, Gabriel Escobar, i cili gjatë kësaj jave ndodhet në Bruksel sot do të mbajë një konferencë online për të diskutuar lidhur me situatën në Kosovë, pas tensionimit të situatës për shkak të vendosjes së reciprocitetit për targa.
Escobar këtë konferencë do të mbajë në ora 15:00, ndërsa do t’i përgjigjet edhe pyetjeve të gazetarëve.
I dërguari nga Bashkimi Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, të mërkurën ka zhvilluar takime të ndara me përfaqësuesit e Kosovës, Besnik Bislimin dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq, për të diskutuar rreth temës së veriut dhe gjetjes së një zgjidhje pas tensionimit të situatës për shkak të reciprocitetit të targave.
Në Bruksel është finalizuar një draft dokument për zgjidhjen e çështjes së targave mes Kosovës dhe Serbisë, ndërkaq derisa Kosova ka pranuar një dokument të tillë, pala serbe ende jo.
Draft dokumenti është arritur me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, mirëpo të dyja delegacionet, ai i Kosovës dhe i Serbisë nuk kanë zhvilluar takim të përbashkët.
Në një shkrim në Twitter, zëdhënës i Bashkimit Evripian, Peter Stano ka thënë se negociatat vazhdojnë për të gjetur një zgjidhje për krizën aktuale në veri të Kosovës.
Gjithashtu në Bruksel gjatë kësaj jave ishte edhe zëvendësndihmës sekretari për Çështje të Evropës dhe Euro Azisë në Departamentin amerikan të Shtetit, njëherësh i dërguar i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.