Lajme

Situata në veri, Abdixhiku thërret konferencë për media

05/30/2023 23:48
nga:G C

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thirrur konferencë për media.

Konferenca e ftuar për në ora 13:30, do të ketë në qendër të vëmendjes adresimin e Abdixhikut ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, lidhur me situatën aktuale në veri.

Kujtojmë se më herët, Lidhja Demokratike e Kosovës reagoi e quajti si të rrëzikshëm distancimin e ShBA-së karshi Kosovës dhe përjashtimin e shtetit kosovar nga “Defender Europe”.

“Nga përplasja me grupet kriminale në veri, Qeveria e Kosovës po përfundon në përplasje me vetë Perëndimin, duke rënë kështu në grackën e Serbisë. Reagimet e shteteve mike, kundër institucioneve të Kosovës, reagimet e SHBA-së, Gjermanisë, Francës, BE-së e vet NATO-s, dëshmojnë pozicionin e rëndë diplomatik e strategjik në të cilin gjendet Kosova. Në një pozicion të tillë Kosova nuk është gjendur asnjëherë më parë.

LDK-ja i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që në këto momente kritike për vendin dhe të ardhmen euroatlantike të zgjedhë maturinë politike para popullizmit afatshkurtër. Në vend të euforisë së grupeve partiake të zgjedhë rrugëtimin e vendosur euroatlantik të shtetit bashkë me aleatët.

Arritjet historike të Kosovës, nga angazhimi ynë për liri, pavarësi e demokraci e deri tek përpjekjet e deritanishme për forcimin e shtetit, kanë shenjën e koordinimit dhe ecjes së përbashkët me aleatët tanë. Devijimi nga një ecje e tillë është devijim nga vet rrugëtimi euroatlantik, siç dhe është shërbim ndaj vetë kundërshtarit të shtetit tonë” thuhej mes të tjerash në reagimin e LDK-së.