Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës, duke kërkuar që seanca për konstituimin e Kuvendit të thirret menjëherë, raporton GazetaBlic.
Hamza ka thënë se Kuvendi nuk është pronë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, apo e Lëvizjes Vetëvendosje, duke akuzuar pushtetin për zvarritjen e procesit të konstituimit.
“Kuvendi nuk është pronë e Albin Kurtit dhe e Lëvizjes Vetëvendosje. Pushteti duhet ta thërrasë urgjentisht seancën për konstituimin e tij”, ka shkruar Hamza.
Sipas tij, konstituimi i Kuvendit është detyrim kushtetues dhe nuk mund të kushtëzohet me marrëveshje politike, kalkulime elektorale apo interesa personale.
Hamza ka akuzuar Kurtin se po e zvarrit procesin për shkak të kalkulimeve politike.
“Sa më gjatë të mbahet vendi në këtë vakum institucional, aq më shumë hapësirë krijohet për skenarë të rinj politikë dhe zgjedhorë”, ka deklaruar ai.
Kreu i PDK-së e ka cilësuar situatën si “kapje brutale të shtetit, shkelje të Kushtetutës dhe degradim të institucionit të të zgjedhurve të popullit”.
Ai ka theksuar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen dhe nuk mund të trajtohen si rekomandime.
“Thirreni seancën. Respektoni Kushtetutën. Kuvendi duhet të konstituohet”, ka përfunduar Hamza.


