Sporti

Simeone i lumtur pas triumfit në derbi: Kundër Real luajtëm ndeshjen që tifozët donin të shihnin

09/25/2023 17:36
nga:E K

“Los colchoneros” e Atletico Madrid arritën një fitore madhështore mbrëmjen e së dielës, që sapo lamë pas, teksa, në “Wanda Metropolitano” mundën me rezultatin e thellë, 3 me 1, “galaktikët” e Real Madrid në derbin e madh të Madridit, të vlefshëm për javën e 6-të të Kampionatit spanjoll të futbollit, La Liga.

Pas triumfit, për mediat, tekniku Diego Simeone tregoi “çelësin” e suksesit në këtë sfidë, teksa nuk la pa falenderuar dhe lojtarët e tij, që bënë të mundur arritjen e kësaj fitoreje të madhe në derbi.

“Kemi zhvilluar një lojë shumë të mirë, në pjesën e parë ishim të fortë, mund të shënonim sërish nga krahëtm, sepse Reali i Madrid po vuante. Ne u stërvitëm për këtë mënyrë loje, luajtëm në mënyrën më të mire dhe shënuam dy gola.

Gjëja më madhështore ishte shpirti i skuadrës. Në Valencia thashë që nuk isha i shqetësuar, sepse mund të ndodhte pas ndeshjeve të Kombëtareve një paraqitje jo e mirë. Kundër Realit luajtëm ndeshjen që tifozët duan të shohin”,- u shpreh tekniku i “bardhekuqve”.