Lajme

Si i çmendi Rama me një meme, mediat italiane?

08/10/2023 21:16
nga:Y I

Meme-ja e disa ditëve më parë ku Rama krahasonte shqiptarët që iknin në Itali në vitin 1991, me turistët italianë që tashmë vijnë për pushime në vendin tonë i ktheu të gjithë ‘prozhektorët’ e mediave italiane nga kryeministri shqiptar.

“Kreu i Partisë Socialiste Rama javët e fundit po shijon suksesin e vendit në fushën e turizmit, me dhjetëra mijëra italianë që kanë ‘pushtuar’ plazhet e vendit të shqiponjave, të tërhequr nga kureshtja dhe mbi të gjitha nga një verë e qëndrueshme me çmime të lira. Aq sa mbrëmjen e së martës, ai publikoi edhe një ‘meme’ në Instagram, një fotomontazh, ku me përballjen e dy fotove, atë të zbarkimit në Bari të anijes ‘Vlora’ në vitin 1991, krahason turistët italianë sot me shqiptarët që zbarkuan pas diktaturës në Itali”, shkruan ndër të tjera gazetari Leonard Berberi i Corriere Della Sera, në rubrikën “Personazh” dedikuar kryeministrit Edi Rama.

Duke i bërë një skaner profilit politik të Ramës, shkrimi nis me fillimet e tij në politikë e mbyllet me përgjigjen aspak rastësore të pyetjes që shumë e kanë sot: Kush do të jetë pasardhësi i tij ose “trashëgimtari” politik?!

“Kur Edi Ramës ‘i shkrepi’ në kokë në fund të vitit 2000, si kryetar i ri i Tiranës , se qyteti ishte i trishtuar, gri dhe kishte nevojë për ngjyra dhe mbi të gjitha se Lana duhej pastruar duke prishur të gjitha kioskat që ishin ndërtuar përreth, dikush filloi të frikësohej për sigurinë e tij fizike. Sipas tyre, ky burrë i madh dy metrosh po shkonte kundër fuqive të vogla e të mëdha të vendit. Mbi të gjitha, ai donte të fitonte mbi një sistem, që për një dekadë ishte bazuar në ndërtime ekstreme të paligjshme dhe në korrupsion. Jo vetëm në kryeqytet, por kudo në Shqipëri”, shkruan Corriere.

Një rikujtesë sesi Rama u afrua në politikë, nuk mund të mungonte në profilin e tij.

“Në 1997 disa burra gati e rrahën për vdekje para shtëpisë së tij. Rama nuk pati asnjë dyshim që ‘regjisori’ i dhunës ndaj tij ishte presidenti i atëhershëm Sali Berisha, kreu i PD-së (i cili e ka mohuar gjithmonë lidhjen e tij me ngjarjen). Pas një periudhe të shkurtër qëndrimi në Paris, për t’u rikuperuar dhe për të bërë gjërat që i pëlqenin (pikturën), ai u kthye në Tiranë, ku ndërkohë era e ndryshimeve kishte filluar të ndihej pak. Qeveria socialiste e thirri atë për ta bërë ministër Kulture, detyrë që e ushtroi nga viti 1998, dhe në vitin 2000 Rama u zgjodh nga 54% e qytetarëve të Tiranës si kryebashkiaku i kryeqytetit shqiptar. Kur filloi t’i rikthente fytyrën qytetit, dikush qëlloi edhe në dritaren e shtëpisë së tij, por pa plagosur njeri”.

Koha si kryebashkiak dhe “bojatisja” plot ngjyra e Tiranës, shihet sipas Corriera Della Sera-s, si starti i ngritjes së tij drejt pushtetit.