Drejtuesit e lëvizjes Vetëvendosje që tani e drejtojnë qeverinë e Kosovës, kishin protestuar shumë kur ishte arritur marrëveshja për energjinë midis Kosovës dhe Serbisë, për zbatimin e së cilës e finalizuan udhërrëfyesin këtë të martë në Bruksel.
Marrëveshjet e energjisë janë arritur mes Kosovës dhe Serbisë, më 2013 dhe 2015, derisa ishte kryeministër Isa Mustafa.
Atë kohë, partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje e cila ishte në pushtet i patë kundërshtuar marrëveshjet e arritura nga Mustafa, duke filluar nga konferencat dhe deri tek hedhja me vezë ndaj ish-kryeministrit në seancën e Kuvendit.
Ishte Visar Ymeri, kryetari i atëhershëm i Lëvizjes Vetëvendosje, kishte thirrur konferencë më 10 shtator të vitit 2015 kundër marrëveshjes për energjinë.
Ymeri tha se me këtë marrëveshje Serbia, është bërë hisedare e pronës së Kosovës, ndërsa e ka ndar në dysh sistemin e energjisë.
Ndërsa, ditë më vonë, në një seancë të Kuvendit, Ymeri bashkë me anëtarë të tjerë të LVV-së kishin kërkuar që Mustafa të raportoj për marrëveshjet e arritura në Bruksel.
Ai deklaroi se kundërshtimi i marrëveshjeve përveçse në Kuvend do të bëhej edhe në rrugë, përmes protestave.
E në momentin kur Mustafa kishte shkuar për të raportuar për marrëveshjet e arritura në Bruksel, ai ishte gjuajtur me vezë nga pjesëtarë të LVV-së.
Ndër deputetët që e gjuajtën Mustafën, ishte edhe kryetari i tanishëm i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe ministrja e tanishme e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
E tani kur u arrit ujdia për zbatimin e së njëjtës marrëveshje, kryetari I Vetëvendojes, Albin Kurti, tani kryeministër, po thotë se kjo po ndodhë falë angazhimit të qeverisë..
“Ky është rezultat i punës tonë të palodhshme dhe i qëndrimeve tona parimore në bazë të ligjit dhe kushtetutshmërisë së Kosovës, në bazë të rregullave tona ka ndodhur dakordimi më në fund për zbatim të udhërrëfyesit që do të mundësojë inkasimin e energjisë së shpenzuar në veri të lumit Iber”, deklaruar Kurti para mediave.
Edhe nënkryetari i parë i Vetëvendosjes, Besnik Bislimi, tani zv/kryeministër dhe kryenegociator, kishte pohuar se bëhet fjalë për marrëveshjen e mëhershme.
“Çdo dakordim eventual ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbi çështjen e energjisë, nuk do ndryshojë as edhe njё presje pёrtej asaj qё tashmë është dakorduar nё Bruksel nё vitet 2013 dhe 2015”, kishte thënë ai, pak ditë më parë.


