Për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore të akuzuarit për krime lufte, Remzi Shala dhe mungesës së mbrojtësit të tij, avokatit Blerim Mazreku, ka dështuar të mbahet seanca e paraparë për të martën në Gjykatën Themelore në Prizren.
Lidhur me mungesën avokatit Mazreku, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raima Elezi ka thënë se i njëjti ka kërkuar nga gjykata shtyrjen e seancës pasi që është i angazhuar në një seancë tjetër në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërsa lidhur me gjendjen shëndetësore të akuzuarit Shala, gjykatësja Elezi tha se ka pranuar një raport mjekësor për gjendjen shëndetësore e të njëjtit më 17 dhjetor 2021, e përpiluar nga Dr. Liridona Buzhala mjeke në Njësitin Shëndetësor për të Burgosurit.
Pas kësaj, prokurori special Haki Gecaj, ka kërkuar nga gjykata që të ndërpresë seancën pasi që sipas tij, nuk ka kushte për mbajtjen e saj.
“Duke e parë gjendjen e të akuzuarit Remzi Shala, që shihet qartë që nuk është në gjendje të përcjellë gjykimin. Unë propozoj që seanca e sotme dhe dy të tjerat të parapara në këtë muaj të anulohen sepse nuk ka kushte”, tha prokurori Gecaj.
Mirëpo një propozim të tillë e ka kundërshtuar përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Asdren Hoxha.
Ai tha se mungesa e mbrojtësit të akuzuarit Shala e ka vendosur trupin gjykues para aktit të kryer dhe janë krijuar rrethana të cilat pamundësojnë mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor.
Ndërsa në lidhje me gjendjen shëndetësore të akuzuarit, avokati Hoxha tha se raporti në fjalë tregon historinë e trajtimit shëndetësor të akuzuarit, por sipas tij, edhe më teje as gjykata e as palët nuk kanë një mendim profesional të mjekëve se për seancat e radhës a është i gatshëm i akuzuari që të marr pjesë në to.
Pas kësaj, trupi gjykues ka marrë vendim që të kërkohet mendim profesional nga Spitali Rajonal në Prizren, nëse i akuzuari është në gjendje të qëndroj në sallë dhe ta përcjellë gjykimin.
Në këto rrethana, seanca u shty për 22 dhjetor 2022, në ora 10:00.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, në korrik të 2019-ës, kishte marrë aktgjykim, me të cilin të akuzuarin Shala e kishte shpallur fajtor për veprën penale krime lufte kundër popullatës civile, duke e dënuar me 14 vjet burg.
Pas ankesës së mbrojtjes, Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë, duke ia zbritur dënimin Shalës në 10 vjet burgim.
Kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatë Supreme kishte parashtruar mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Natal Bullakaj.
Gjykata Supreme, në maj të vitit 2020 e kishte kthyer rastin në rigjykim në shkallën e parë.
Ish-komandanti i UÇK-së, i njohur si komandant “Molla e Kuqe”, akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), për vrasjen e një civili gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Shala akuzohet nga PSRK se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 26 qershor 1998, duke vepruar si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), së bashku edhe me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, kanë marrë nga shtëpia e tij, viktimën Haxhi Përteshi.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Remzi Shala, i cili ishte i vetmi pa maskë në kokë, së bashku edhe me 5-6 pjesëtarë tjerë të UÇK-së, të maskuar, nën dyshimin se i ndjeri ishte bashkëpunëtorë i forcave serbe, kanë shkuar në fshatin Duhël dhe të njëjtin e kanë dërguar në një vend të panjohur.
Në aktakuzë thuhet se djali i viktimës, Agron Përteshi, i kishte parë ata të largoheshin, së bashku me babanë e tij, në drejtim të fshatit Grajqevc dhe pas disa dite trupi i pajetë i të ndjerit ishte gjetur në afërsi të rrugës, afër qendrës së fshatit Duhël. /BetimipërDrejtësi


