Sporti

“Shqipëria e Sylvinhos më e mirë se ajo e De Biasit” – Gani Sejdiu analizon fitoren e Shqipërisë ndaj Çekisë: “Shumë siguri, lojë me kreativitet”

10/13/2023 12:22
nga:E K

Shqipëria arriti fitore të madhe dje në Air Albania duke mposhtur Çekinë me rezultat 3:0.

Dy golat e Seferit dhe një nga Asani i mundësuan Shqipërisë që të ruaj primatin e grupit duke bërë që kualifikimi për në Kampionatin Evropian të jetë pothuajse i sigurtë, shkruan GazetaBlic Sport.

Trajneri kosovar, Gani Sejdiu ka komentuar fitoren e djeshme të Shqipërisë duke thënë që kjo është Shqipëria më e mirë e të gjitha kohërave duke lavdëruar tej mase punën e trajnerit, Sylvinho.

“Mënyra se si ka fituar Shqipëria është reflektim i vërtet i një ndërrimi të mentalitetit të Kombëtares së Shqipërisë. U pa dora e trajnerit, këtu duhet të përgëzohet edhe mënyra se si Federata ka punuar në këtë aspekt. Ky nivel i Shqipërisë është i atij niveli që ne nuk jemi mësuar ta shohim deri tani. Ishte paraqitje e veçantë, me shumë klas, ndaj një kundërshtari si Çekia. Nuk i lejuam të krijojnë raste dhe shënuam tre gola kjo tregon reflektimin e ndërrimit pozitiv të mentalitetit te Shqipëria. Kjo paraqitje me fitore kaq me siguri na ka bërë krenar të gjithëve”, tha fillimisht Sejdiu për GazetaBlic Sport..

“Sylvinho ka arritur të bëjë balancimin e lojës ofanzive dhe defanzive të Shqipërisë që i ka munguar prej kohësh. Mirëpo ajo që e dallon Sylvinhon nga De Biasi dhe trajnerët e tjerë është se Sylvinho ka ardhur me frymë shumë optimiste dhe me besim te skuadra. Ai e ka instaluar mentalitetin që lojtarët nuk i frikësohen asnjë kundërshtari. Është psikologjike që ndikon shumë te lojtarët, kjo është ajo që ka futur Sylvinho në lojën e Shqipërisë. Kjo është Shqipëria më e mirë e të gjitha kohërave”, shtoi ai.

“Ende nuk mund të themi se është kualifikuar, por realisht mendoj që veç është siguruar kualifikimi. Mënyra se si tani Shqipëria po arrin me u kualifiku është shumë më bindëse me siguri shumë më të lartë, me paraqitje shumë më të mira. Në krahasim me De Biasin që dihet se ka bërë punë shumë të madhe. Edhe në atë kohë Shqipëria ka pasur shumë cilësi dhe lojtarë me shumë përvojë si Lorik Cana, mirëpo De Biasi ishte ai që e ngriti Shqipërinë në një nivel tjetër, është trashëguar edhe nga Sylvinho. Dallimi është se Sylvinho ka futur kreativitet më shumë, sulmi është shumë më efektiv, po shënon gola shumë atraktiv. De Biasi kishte luante me disiplinë në mbrojtje, taktizime dhe ishte i suksesshëm, mirëpo tash janë disa elemente që kanë munguar në Kombëtaren e Shqipërisë, kështu që mendoj që tash kjo është Shqipëria më e kompletuar, ekip më miks dhe mendoj që është Shqipëri më e mirë se ajo e De Biasit”, përfundoi Sejdiu për “GazetaBlic Sport”.