Sporti

Shpëtim Duro për suksesin e Strugës në Europë: Deri tani jemi shumë mirë, nuk do dorëzohemi, luajmë shanset tona

08/04/2023 14:43
nga:L J

Skuadra e Strugës ka siguruar rrethin e tretë të kualifikueseve të UEFA Conference League, një arritje historike për ekipin shqiptar, që asnjëherë më parë nuk kishte arritur në këtë rang.

Struga fitoi ndaj Buducnost në shtëpi dhe si mysafir, për të kaluar tutje në raundin e tretë kualifikues, ku e pret ekipi nga Luksemburgu, Hesperange.

Trajneri i Strugës, Shpëtim Duro thotë se ky kualifikim është historik për ekipin e tij.

“Sigurisht që ky kualifikim është historik – por mund të them se edhe sezoni është historik, pasi fituam titullin kampion, ishin finalist të Kupës, por edhe tani të shkosh në turin e tretë të Conference League është një arritje historike me një skuadër të re të krijuar. Jam jashtëzakonisht i lumtur që kemi arritur këto nivele, së bashku me futbollistët e mi që janë serioz dhe profesionist, andaj jemi edhe tek ky sukses”, tha fillimisht Shpëtim Duro për “GazetaBlic Sport”.

Duro thotë se është i kënaqur me arritjet e ekipit të tij deri tani, teksa shton se e pret ndeshje e vështirë ndaj Hesperange.

“Mua më mbeti peng eliminimi nga Zalgiris, sepse kishim pak minuta mos koncentrimi, por kemi zhvilluar dy ndeshje superiore, poashtu edhe me Buducnost morëm dy fitore me dy ndeshje të mira. Janë arritje të mëdha dhe mund të them se ky ishte objektivi ynë, pra për të kaluar në turin e tretë. Tani duhet të jemi realist, mos shikoni emrin e Luksemburgut, pasi Hesperange është një skuadër shumë e mirë, agresive dhe kampion të Luksemburgut, duke kaluar Dudelange – ata kanë në organikë të ekipit lojtarë francez, gjerman, portugez, kështu që niveli i skuadrave të Luksemburgut është kogja i lartë”, potencoi Duro.

Sa i përket kualifikimit të mundshëm në grupe, Duro thotë se realisht nuk ka qenë objektiv i tyre, por tani do luajnë shanset e tyre.

“Ne do luajmë shansat tona, jemi të qetë, kemi shumë dëshirë – deri në këto momente jemi shumë mirë, nuk do dorëzohemi, do bëjmë të pamundurën, por jo se e kemi objektiv primar kualifikimin në grupe, ne do vazhdojmë ndeshje pas ndeshje”,  vazhdoi ai.

Në fund trajneri falënderoi edhe tifozët që e përkrahën në dy ndeshjet e fundit.

“Ne nuk kemi tifozë sa Shkupi e Shkëndija, me vet faktin që jemi ekip i ri, megjithatë dua të falënderojë tifozët e sportdashësit që na pëkrahën në Ohër dy ndeshjet e fundit”, përfundoi ai.

Kujtojmë se Struga tani do ballafaqohet me Hesperange në stadiumin e Shkupit, pasi ai i plotëson kushtet për ndeshje të këtyre raundeve.

/GazetaBlic Sport