Lajme

Shpërbërja e Kuvendit – Deputetët e opozitës skeptik se mund të ndodhë diçka e tillë, kërkojnë dorëheqje të Kurtit

05/21/2024 12:25
nga:Genita C

Sipas ish-deputetit të VV’së, Fatmir Humolli është e vështirë të bëhet parashikimi se kur do të shpërbëhet Kuvendi, pasi siç thotë ai, deputetët nuk votojnë sipas arsyeshmërisë.

“Është vështirë të parashikohet se kur do të shpërndahet kjo legjislaturë, sepse deputetët votojnë si ju thojnë, jo sipas arsyeshmërisë”, tha Humolli.

“Kjo legjislaturë e ka humbur legjimitetin e qytetarëve”, shtoi ai për GazetaBlic.

Ndërsa, deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti për GazetaBlic thekson se, çështja e votimit për shpërndarjen e Kuvendit nuk është e sigurt.

“Çështja e votimit në Kuvend, akoma s’është e sigurt. Normalisht, që Parlamenti shpërndahet me shumicën e votave të 120 deputetëve. Pra, me 61 vota. Janë apo s’janë për, e ka me të vërtetë Albini me çu vendin në zgjedhje të parakohëshme, varet prej tij”, tha Haliti për GazetaBlic.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj thotë se është në dorën e Qeverisë që Kosova të shkojë në zgjedhje.

Lekaj në një prononcim për GazetaBlic thekson se, çdo iniciativë e opozitës do të dështojë, pasi nuk kanë numrat e nevojshëm.

“Është në dorën e Qeverisë Kurti që Kosova të shkojë në zgjedhje. Ky pushtet ka shumicën e votave, prandaj çdo iniciativë e jona si Opozitë ka dështuar dhe vazhdon të dështojë, sepse nuk kemi mundur të arrijmë numrat e nevojshëm”, tha Lekaj.

Lekaj është skeptik për shpërndarjen e Kuvendit, teksa akuzon deputetët e VV’së se kinse janë të lumtur nga lluksi i pushtetit.

“Pra, nuk pritet shpërndarja e Kuvendit, sepse Qeveria Kurti dhe deputetët nga shumica janë të lumtur nga lluksi dhe benefitet materiale që po ju sjellë pushteti.Kosova ka nevojë për zgjedhje sepse duhet të ndalet keqëmenaxhimi i shtetit dhe keqpërdorimet në secilin institucion publik”, tha Lekaj.

Lekaj e ripërsërit se vendin duhet të shkojë në zgjedhje veç duke dhënë Kurti dorëheqje.

“E vendi duhet të shkojë në zgjedhje me dorëheqje të Qeverisë Kurti. Çdo mënyrë tjetët është e padrejtë dhe e panevojshme”, tha Lekaj për GazetaBlic.

Shqipe Pantina nga LDK e sheh si të pakuptushëm shpërndarjen e Kuvendit.Pantina e tha këtë në një përgjigje për GazetaBlic, teksa shton se VV’së i konvenon që Kuvendi të shpërndahet, madje edhe dy ditë, para afatit të rregulltë zgjedhor.

“Është e pakuptueshme se pse duhet të shpërndahet Kuvendi, një apo dy muaj, para afatit të rregullt ligjor. Sesioni pranveror mbaron në Korrik dhe pastaj hyjmë në ciklin e rregullt zgjedhor, por partisë në pushtet i konvenon ta shpërndaj Kuvendin para afatit, qoftë edhe për dy ditë”, tha Pantina.

Sipas Pantinës, VV’së i konvenojnë zgjedhjet e jashtëzakonshme.