Lajme

Shoqërimi i dhunshëm i qytetarit në protestë, reagon policia

11/12/2022 20:55
nga:G B

Policia ka reaguar pas shoqërimit të dhunshëm të njërit nga protestuesit, pasi u lajmërua mbyllja e protestës dhe qytetarët nisën të ndiznin qiri në shkallët para krryeministrisë.

Në lidhje me këtë policia njofton, se qytetari është konstatuar që mbante në dorë një mjet prerës dhe kryente lëvizje të pakontrolluara  duke cënuar jetën e pjesëmarrje në tubim, ndaj edhe “uniformat blu” kanë ndërhyrë menjëherë  për neutralizimin e tij.

Reagimi i Policisë Tiranë:

Në lidhje me shoqërimin e një shtetasi, në përfundim të tubimit të ditës së sotme, sqarojmë opinionin publik se:

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në zbatim të detyrave të planit të masave, të hartuar me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit, në përfundim të tubimit kanë konstatuar një shtetas që mbante në dorë një mjet prerës dhe kryente lëvizje të pakontrolluara.

Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë me profesionalizëm për të parandaluar çdo veprim të këtij personi, i cili mund të cënonte jetën e pjesëmarrësve në tubim dhe të punonjësve të Policisë që ishin në shërbim për të garantuar mbarëvajtjen e tubimit përsa i përket rendit dhe sigurisë.

Shërbimet e Policisë e kanë neutralizuar dhe shoqëruar shtetasin J. Ç., 25 vjeç, nga fshati Gurrëz e Vogël, Lushnjë, i cili nga verifikimet paraprake rezulton person me probleme të shëndetit mendor.

Sqarojmë se përveç këtij shtetasi nuk ka asnjë person tjetër të shoqëruar nga shërbimet e Policisë dhe se tubuesit janë shpërndarë pa krijuar probleme përsa i përket rendit dhe sigurisë publike.

Policia e Shtetit falënderon qytetarët për qytetarinë e treguar gjatë tubimit dhe i garanton ata se Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për të garantuar rendin, sigurinë, lirinë dhe të drejtat e qytetarëve.