Sporti

Shkëlqeu në fushë, Suada Jashari fiton Licencën ‘A’ si trajnere: Në të ardhmen, synoj edhe ndonjë skuadër jashtë Kosovës

06/15/2023 08:51
nga:Mergim Rreci

Suada Jashari është një ish-futbolliste e shkëlqyer dhe tashmë një trajnere aktuale e cila po vazhdon punën drejt suksesit të madh.

Më 4 Prill 2013, Jashari bëri debutimin e saj me Shqipërinë në ndeshjen e kualifikimeve për Kupën e Botës për Femra FIFA 2015 kundër Maltës pasi u emërua në formacionin startues.

Ndeshja e saj e fundit ndërkombëtare ishte më 1 dhjetor 2020 kundër Portugalisë në Lisbonë dhe më pas e nisi edhe rrugën e trajneres, atje ku tashmë ka përfunduar me shumë sukses Licencën A pranë Federatës Shqiptare të Futbollit.

Në një intervistë për ‘GazetaBlic Sport’, Suada Jashari ka treguar për punën e saj të madhe gjatë këtyre 6 muajve, atje ku tha se ndjehet e lumtur që tashmë është e kompletuar edhe zyrtarisht.

“Mund të them që nuk ka qenë shumë e lehtë sepse ishte një program i shtrirë në 6 muaj, pra nga janari e deri më tani në qershor, marr parasysh edhe angazhimet që kemi çdo ditë, por është diçka që unë e kam kryer më shumë dëshirë, sepse është një kurs kualitativ dhe shumë i nevojshëm i cili na shërben shumë neve që merremi me menaxhim dhe udhëheqje në futboll”, tha fillimisht ajo.

Më pas, ajo u pyet për ëndrrën e saj dhe për skuadrën që një ditë do të dëshironte ta drejtonte, atje ku tha se me punë dhe përkushtim do të synohet ndonjë ekip edhe jashtë Kosovës.

“Fillimisht jam shumë e kënaqur që arrita ta përfundoj këtë kurs dhe tani dua që të punojë shumë për t’u përmirësuar profesionalisht sepse dihet që futbolli kërkon shumë punë dhe përkushtim, dua që të kem përgatitjen dhe përvojën e nevojshme që pas një kohe, pse jo, të punojë me ndonjë ekip jashtë Kosovës”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport/