Shaqiri bëri rolin e përkthyesit në konferencë, përktheu pyetjet e gazetarëve kosovarë.
Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë nesër (e shtunë) ndeshjen e radhës në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.
“Dardanët” do të luajnë në udhëtim ndaj Zvicrës.
Në konferencën e sotme për shtyp te “Helvetikët” u paraqit futbollisti nga Kosova, Xherdan Shaqiri, krah përzgjedhësit Murat Yakin.
Madje, futbollisti nga Kosova bëri edhe një rol tjetër, atë të përkthyesit, gjatë kësaj konference, shkruan “20minuten”.
Për shkak se nuk pati përkthyes, Shaqiri i përktheu pyetjet e gazetarëve kosovarë për Yakinin.
Kujtojmë se ndeshja mes Zvicrës dhe Kosovës do të zhvillohet nga ora 20:45, në Bazel.


