Kombëtarja e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës i kanë publikuar listat e tyre para ndeshjeve kualifikuese për ‘Euro 2024’.
Gjithçka tashmë është gati për ndeshjet e muajit mars, me qëllimin e madh që të dy kombëtaret ta fillojnë mbarë me fitore këtë mision.
Shqipëria do të përballet me Poloninë me datën 27 mars, kurse Kosova luan me Izraelin dhe Andorën gjatë këtij grumbullimi.
Gazetari nga Shqipëria, Dritan Shakohoxha ka komentuar ekskluzivisht për ‘GazetaBlic Sport’ gjendjen momentale tek ‘Kuqezinjtë’. Shakohoxha tha se e sheh Poloninë si skuadër lidere të grupit dhe se Shqipëria duhet që luftën e vërtetë ta ketë me Çekinë, natyrisht pë vendin e dytë.
“Se si do të jetë Shqipëria në këto kualifikuese është vërtet e vështirë të parashikohet. Dilemat për herë të parë nuk janë vetëm te tifozët dhe gazetarët, por edhe te stafi drejtues. Fakti që trajneri do të ketë ndeshjen e parë kundër Polonisë nuk na favorizon shumë. Polonia është skuadra kryesuese e grupit dhe për Shqipërinë kundërshtari i vërtetë është Çekia, ndaj meriton vëmendjen më të madhe. Sido që të shkojë ndeshja në Varshavë, mendoj se dy ndeshjet që vijojnë me Moldavinë dhe Ishujt Faroe do të na japin mundësinë të shkojmë në Çeki me 6 pikë”, tha fillimisht gazetari njohur nga Shqipëria.
Më pas Shakohoxha shtoi se trajneri duhet që të përqëndohet tek aspekti emocional i futbollistëve, duke rikthyer atë dëshirën e madhe të futbollistëve për fanellën kuqezi. Ai kujtoi vitin 2015, atëherë kur fushata eliminuese nisi pa shumë besim, por që kulminoi me kualifikim në Kampionatin Evropian.
“Shpresoj që trajneri Sylvinho më shumë se taktikat e kësaj skuadre të ndryshojë frymën e saj, të ndezë atë zjarr dhe dëshirë për fanellën kuqezi që ish trajneri e shuajti. Përsa i përket emrave janë pak a shumë të njëjtë si kanë qenë, Uzuni është lojtari në formën më të mirë, ndërsa disa prej lojtarëve nuk po kalojnë shumë mirë me klubet e tyre. Pavarësisht situatës, kombëtarja ka dashurinë e tifozëve në çdo rast dhe kjo ‘armë’ e fortë që pak ekipe vendase e kanë, shpresoj të shfrytëzohet sa më shumë. Edhe në vitin 2015, kur nisi fushata eliminatore në Portugali, filloi pa besim të madh, më pas nga ndeshja në ndeshje, fryma e fituesit u rrënjos në skuadër. Kështu shpresojmë përsëri”, përfundoi Shakohoxha.
/GazetaBlic Sport/