Kombëtarja e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës i kanë publikuar listat e tyre para ndeshjeve kualifikuese për ‘Euro 2024’.
Gjithçka tashmë është gati për ndeshjet e muajit mars, me qëllimin e madh që të dy kombëtaret ta fillojnë mbarë me fitore këtë mision.
Shqipëria do të përballet me Poloninë me datën 27 mars, kurse Kosova luan me Izraelin dhe Andorën gjatë këtij grumbullimi.
Gazetari nga Shqipëria, Dritan Shakohoxha ka komentuar ekskluzivisht për ‘GazetaBlic Sport’ gjendjen momentale tek ‘Dardanët’, duke qenë shumë optimist se Kosova ka mundësi që të kualifikohet në ‘Euro 2024, kjo pasi që kundërshtarët për vendin e dytë janë të kalueshëm.
“Mendoj se Kosova në këtë moment ka më shumë shanse për t’u kualifikuar pasi që edhe kundërshtarët për vendin e dytë janë të kalueshëm nga ‘Dardanët’.
As Rumania dhe as Izraeli nuk kanë futbollistë më të mirë se Kosova. Shto faktin që në këtë moment shumica e lojtarëve të Kosovës luajnë në klubet e tyre dhe një pjesë e mirë janë edhe lider. Koha e konsolidimit të skuadrës ka përfunduar, tani është momenti për të marrë rezultatet e merituara. Boshti Rrahmani, Rashica dhe Muriqi janë shumë solid dhe për t’u patur zili. Besoj që të tre do të ishin në formacionin e Zvicrës, e cila është lidere e grupit. Kjo tregon se Kosova do të jetë favorite për t’u kualifikuar“, tha fillimisht Shakohoxha.
Më pas, ai tha se futbollistët duhet të mos futen në presion dhe të mos kaplohen nga emotiviteti, gjithashtu të kenë gjithmonë si mësim shansin e lëshuar ndaj Maqedonisë së Veriut.
“Shpresoj që futbollistët të jenë të rrethuar nga fryma e besimit dhe të mos vihen nën presion, sepse në realitet shpesh është emotiviteti ai që i bën të mos japin atë që kanë. Edhe djemtë tashmë janë më të rritur dhe më profesionistë. Duhet të jetë një mësim shansi i humbur me Maqedoninë e Veriut. Forca Kosova…është momenti yt, këto shanse nuk përsëriten shpesh”, përfundoi Shakohoxha.
/GazetaBlic Sport/