Lajme

Shaip Kamberi prezanton kandidatët për kryetarë të komunave Bujanoc dhe Preshevë

05/01/2024 10:39
nga:Sh R

Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi ka thënë se partia e tij ka përfunduar një proces të brendshëm të përzgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet lokale të përcaktuara për 2 qershor.

Kamberi tha se kandidatë për kryetare të komunës së Preshevës do të jetë Ardita Sinani, ndërsa për kandidat për kryetar të Bujanocit është caktuar Ragmi Mustafa.

“Ky proces ka pasur një rëndësi të veçantë për partinë, pasi ka shërbyer si një rast për të dëshmuar qëndrimin e tyre ndaj demokracisë së brendshme dhe përpjekjet për të siguruar përfaqësimin më të mirë të komunitetit të tyre në nivelet lokale të qeverisjes. Për komunën e Preshevës, pas një vlerësimi të kujdesshëm të aftësive dhe angazhimeve të mundshme të kandidatëve, partia ka zgjedhur Ardita Sinanin për të kandiduar për kryetare të komunës. Ardita Sinani është një figurë e njohur në për angazhimin e saj në fushën e zhvillimit social, edukimit dhe përfaqësimit të interesave të qytetarëve në disa fusha të rëndësishme. Përfaqësimi i saj do të sjellë drejtim të ri dhe të energjishëm për të adresuar sfidat dhe të arriturat e komunës së Preshevës.

Në të njëjtën kohë, për komunën e Bujanocit, pas një procesi të ngjashëm të vlerësimit të kandidatëve, Partia për Veprim Demokratik ka vendosur që listës ti prijë nga Ragmi Mustafi. Mustafi është një personalitet i njohur në komunën e Bujanocit për angazhimin e tij të gjatë dhe të palodhur në shërbim të zhvillimit dhe përfaqësimit të interesave të qytetarëve të kësaj komune”, ka shkruar ai.

Tutje, ai tha se këto nominime janë reflektim i përkushtimit të Partisë për Veprim Demokratik në “sigurimin e liderëve të përshtatshëm dhe të përkushtuar për të përfaqësuar dhe për të përmbushur synimet dhe aspiratat e qytetarëve në nivelet lokale të qeverisjes”.

“Me një fokus të vazhdueshëm në përmirësimin e kushteve jetësore dhe zhvillimin në tërësi, këto nominime sjellin një periudhë të re të arritjeve dhe përparimit për qytetarët e Preshevës dhe Bujanocit”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë: