Trofeu i Serie A do të jepet të dielën në mbrëmje, por me Interin që luan në San Siro dhe Milanin jashtë ndaj Sassuolos, kjo po shkakton një makth për ceremoninë.
Titulli do të vendoset në xhiron e fundit, pasi Milani aktualisht kryeson me 83 pikë – teksa Interi ndodhet në vendin e dytë me 81 pikë, shkruan GazetaBlic Sport.
Milani do ta fitojë titullin së paku me një barazim, kurse Interi do ta rrëmbente atë me një humbje të Milanit dhe fitore të tyre ndaj Sampdorias.
Sipas Calcio e Finanza, ata po planifikojnë të kenë gati dy ceremoni të dielën – një në Stadio Giuseppe Meazza ku Interi përballet me Sampdoria dhe një në stadiumin Mapei në Reggio-Emilia, ku Milani do të përballet me Sassuolon.
Të dy stadiumet janë rreth 160 km larg njëri-tjetrit, kështu që Lega Serie A do të ndajë përfaqësuesit me Presidentin Lorenzo Casini që do të marrë pjesë në ndeshjen e Milanit dhe CEO Luigi De Siervo do ta shikojë Interin.
Prandaj do të ketë dy kopje të trofeut të Serisë A, me dy grupe medaljesh në dy stadiumet.
/GazetaBlic Sport


