Lajme

Serbia u furnizua me armatim nga Kina, Bugajski: Anëtarësimi i Kosovës në NATO është thelbësore për të penguar luftën

04/10/2022 20:54
nga:Donika Fetahu

Serbia mori së fundi një sistem të sofistikuar kundërajror kinez.

Aleati rus, Serbia është furnizuar së fundi me raketa derisa kjo ndodhi pikërisht në kohën kur Perëndimi është shqetësuar se një grumbullim i armëve në Ballkan në mes të luftës në Ukrainë, mund të kërcënojë paqen në rajon.

E pas këtyre zhvillimeve, politologu i njohur, Janusz Bugajski, deklaroi se presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, është i udhëzuar i presidentit rus, Vladimir Putin, për ta destabilizuar Ballkanin.

Për këtë, ai thotë se zgjidhja më e mirë është anëtarësimi i shpejtë i Kosovës dhe BiH në NATO.

“Vuçiq është udhëzuar nga mbrojtësi i tij Putin që të destabilizojë Ballkanin. Rruga e shpejtë drejt anëtarësimit në NATO për Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën është thelbësore për të penguar luftën”, shkroi Bugajski.

Lidhur me vendimin e fundit të Serbisë, pati reagime edhe nga spektri politik kosovar.

Kabineti i presidentes Vjosa Osmani dhe ish-ministri i Jashtëm, Enever Hoxhaj, e konsideruan të papranueshme blerjen e armëve të Serbisë nga Kina.

Ndërkaq, duhet theksuar se në vitin 2020, zyrtarët e SHBA-së e paralajmëruan Beogradin kundër blerjes së sistemeve anti-ajrore HQ-22, versioni i eksportit i të cilit njihet si FK-3.

Ata thanë se nëse Serbia vërtet dëshiron t’i bashkohet Bashkimit Evropian dhe aleancave të tjera perëndimore, ajo duhet të harmonizojë pajisjet e saj ushtarake me standardet perëndimore.