Lajme

Selmanaj: Askush nuk po mban përgjegjësi për faktin që Kosova ishte nën sanksione – Heqja e masave nuk e fshin fajin për vendosjen e tyre

12/19/2025 16:42
nga:Sh R

Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Driton Selmanaj, thotë se askush nuk po mban përgjegjësi për faktin që Kosova ishte nën sanksione për plot 900 ditë, raporton GazetaBlic.

Ai thekson se për një periudhë të gjatë vendi humbi mundësinë që të përfitojë projekte të rëndësishme zhvillimore, pa llogaritur dëmin serioz në imazhin ndërkombëtarë të Kosovës, ku shton se heqja e masave nuk e fshin fajin për vendosjen e tyre.

Sipas tij, pyetja thelbësore mbetet se kush mban përgjegjësi që Kosova u ndëshkua?

Postimi i plotë:

I shohim mashtruesit duke u lavdëruar për heqjen e masave ndëshkuese të BE-së, por askush nuk po mban përgjegjësi për faktin që Kosova ishte nën sanksione për plot 900 ditë. Për një periudhë të gjatë, vendi humbi mundësinë të përfitojë projekte të rëndësishme zhvillimore, pa llogaritur dëmin serioz në imazhin ndërkombëtar të Kosovës. Heqja e masave nuk e fshin fajin për vendosjen e tyre.

Në sektorë jetikë si uji i pijshëm, trajtimi dhe riciklimi i mbeturinave, bujqësia dhe infrastruktura energjetike, u pezulluan projekte madhore që do të përmirësonin shëndetin publik, mjedisin, sigurinë ushqimore dhe zhvillimin ekonomik.

Prandaj pyetja thelbësore mbetet: kush mban përgjegjësi që Kosova u ndëshkua? Ata që me veprimet e tyre penalizuan shtetin dhe qytetarët nuk mund të lajnë duart duke festuar sot. Përgjegjësia politike duhet të kërkohet aty ku dhemb më së shumti – me votë.

LDK 123

Driton Selmanaj 25