Lajme

Senatorja amerikane falënderon partnerët kosovarë për ndihmën për familjet afgane

04/21/2022 13:21
nga:Astrit Gashi

Senatorja Jeanne Shaheen, pas arritjes në Kosovë ka vizituar kampin Liya, pranë bazës ushtarake amerikane “Bondsteel” në Ferizaj, i cili strehon shumë të evakuuar afganë.

Përmes një postimi në Twitter, Shaheen, falënderoi partnerët kosovarë që ndihmuan familjet afgane dhe iu ofruan atyre një strehë të sigurt.

“Në terren në Kosovë në Kampin Liya, i cili strehon shumë të evakuuar afganë. Faleminderit partnerëve tanë në Prishtinë që ndihmuan në udhëheqjen e përgjigjes humanitare për të ndihmuar familjet afgane dhe për t’u ofruar atyre një strehë të sigurt”, ka shkruar ajo.

Ndryshe, Shaheen bashkë me dy senatorë të tjerë amerikanë, Chris Murphy dhe Thom Tillis kanë arritur sot në Kosovë.

Të tre senatorët më herët kanë vizituar Bosnje Hercegovinën dhe Serbinë, ndërkohë kjo vizitë ka për qëllim forcimin e lidhjeve të Shteteve të Bashkuara me Ballkanin Perëndimor.