Sporti

Senad Alirifa: Përvoja e Fodës mund t’i ndihmoj shumë Kosovës – grupmoshat e reja po tregojnë se kemi potencial edhe për të ardhmen

03/24/2024 19:43
nga:E K

Kosova të premten nisi kapitullin e ri nën urdhërat e trajnerit, Franco Foda.

Tekniku gjerman debutoi me fitore te “Dardanët” duke mposhtur në miqësore Armeninë me rezultat minimal 0-1 falë golit të realizuar nga Milot Rashica.

Trajneri kosovar, Senad Alirifa për “GazetaBlic Sport” komentoi paraqitjen e parë të Kosovës nën urdhërat e Fodës duke thënë se shihet një frymë e re te Kombëtarja e Kosovës.

Sipas tij përvoja e Fodës në Kampionatin e fundit Evropian me Austrinë do t’i ndihmojë Kosovës në ciklet e ardhshme kualifikuese për Kampionatin Botëror dhe atë Evropian.

Kosova pati një paraqitje të mirë ndaj Armenisë në debutimin e Fodës si trajner i Kosovës. Pati disa ndryshime taktike dhe një frymë pozitive si fillim. Foda është një trajner që ka një CV të pasur dhe ka menaxhur klube serioze gjë që i nevojitet Kombëtares sonë. Duke pasur parasysh përvojën e tij te Austria mendoj që kjo do t’i ndihmoj Kosovës në ciklet e ardhshme kualifikuese. Natyrisht se kualifikimi në Kampionatin Botëror është shumë i vështirë, por nëse kjo nuk arrihet duhet të kërkojmë së paku kualifikimin në Kampionatin e ardhshëm Evropian“, tha fillimisht Alirifa për GazetaBlic Sport.

Alirifa komentoi edhe paraqitjet e mira të grupmoshave të reja të Kosovës sidomos U19, por edhe të U21 duke thënë se shihet se përveç Kombëtares A, Kosova ka potencial edhe në gjeneratat e reja.

“Natyrisht se ishin paraqitje të mira, Kosova U19 fitoi ndaj Austrisë dhe u mposht minimalisht ndaj një Spanje që pavarësisht se është në grupmoshat U19 është e mbushur me plotë talente dhe ky rezultat nuk është për t’u nënvlerësuar. Puna e trajnerit është e jashtëzakonshme te U19, por mos të harrojmë që edhe U21 patën një paraqitje të mirë duke barazuar me Gjermaninë. Kjo na bënë që të shpresojmë për të ardhmen, pasi përveç Kombëtares A, Kosova shihet se ka potencial edhe në grupmoshat e reja“, përfundoi Alirifa për GazetaBlic Sport.

Kujtojmë që me 26 mars Kosova luan një tjetër ndeshje miqësore ndaj Hungarisë.

/GazetaBlic Sport/