Lajme

“Sektori privat nuk i ka raportet aq të mira me qeverinë, pasi janë ndalur disa hallka të komunikimit”

04/20/2026 20:19
nga:G B

AKB dhe qeveria kanë raporte të partneritetit, por sektori privat me qeverinë nuk i kanë aq raportet e mira.

Kështu ka deklaruar për Gazeta Blic, kryetari i AKB-së, Agim Shahini.

Ai thotë se kjo pasi janë shkëputur disa hallka komunikimi dhe projektet kapitale janë në nivelin më të ulët, ani pse në dispozicion kanë 21 miliardë e 600 milionë euro.

“Ne me qeverinë kemi raporte të partneritetit, kemi pas në të kaluarën me qeveritë tjera më mirë por me këtë qeveri raporti me sektorin privat ka qenë më ulët. Ne si Aleancë kemi disa marrëveshje me disa ministri të rëndësishme të qeverisë së Kosovës. Por ne këtu nuk jemi të flasim për raportet e Aleancës me qeverinë por për sektorin privat me qeveri dhe sektori privat me qeverinë nuk i ka aq raportet e mira për arsye se tashmë janë ndalur disa hallka të komunikimit, po ashtu projektet kapitale kanë qenë në nivelin më të ulët sa mbaj mend në qeveritë e Kosovës, për arsye se qeveria aktuale në vitet 2020-2026 ka pasur në dispozicion mbi 21 miliardë e 600 milionë euro”, është shprehur ai.

Sipas Shahinit, nëse paratë do të përdoreshin për zhvillim të vendit dhe jo të shpërndaheshin në formë të mbështetjes sociale, investimet do të ishin më të mëdha.

“Nga këto, janë investuar përafërsisht 3 miliardë apo më pak dhe sikur këto mjete të futeshin në qarkullim të zhvillimit ekonomik të vendit dhe të mos shpërndaheshin në forma për mbështetje sociale por për zhvillim, me siguri që nevoja për mbështetje sociale do të ishte më e vogël dhe zhvillimi, eksporti, investimet do të ishin më të mëdha, prandaj ne këtu kemi mospërputhje por qeveria i kam projeksionet e veta dhe buxhetin, prandaj e kemi këtë situatë siç e kemi”, ka deklaruar Agim Shahini./Gazeta Blic/