Analisti politik, Dardan Sejdiu, ka komentuar situatën me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishajn.
Sejdiu tha se qasja e qeverisë për ambasadorin Martin Berishaj po i duket e vobektë, teksa sipas tij, as sistemi prokurorial e as ai gjyqësor në Kosovë nuk janë pa gabime.
“Po më duket pak e vobektë kjo qasje e qeverisë për Martin Berishajn. Tash e tri vjet e gjysmë po dëgjojmë nga qeveria se ‘të kapur janë ata’, ‘tradhtarë janë këta’, pra, vetëm këta janë të stërpiktë me ujë të zemzemit”.
“Komisioni Hetimor, kam udhëhequr komisione hetimore si deputet. Është një orvatje për të shtyrë përpara një temë që ti pretendon se ka keqpërdorime apo punë të dobët, e pastaj mundet Prokuroria nëse do ta merr atë material dhe të ecë tutje me ndonjë hetim. Nuk po themi që sistemi prokurorial dhe sistemi gjyqësor janë pa gabime”, tha Sejdiu në Rubikon në Klan Kosova.
Tutje, ai tha se Kosova në 25 vitet e fundit ka treguar se ka vend për përmirësim, punë më të mirë e më të shpejt.
“Por, kjo nuk do të thotë se çdo qeveri që vjen, duhet një ndërtim institucional që është bërë, ta zhbëjnë me idenë se ‘unë e bëjë më mirë’”.


