Situata politike në Kosovë vazhdon të jetë e fokusuar te zgjidhja e ngërçit institucional dhe zgjedhja e presidentit. Pas zhvillimeve të fundit dhe qëndrimit të gjashtë deputetëve të LDK-së, mbetet e paqartë nëse do të arrihet një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit apo vendi do të shkojë sërish në zgjedhje.
Analisti politik, Krenar Shala, në një prononcim për GazetaBlic, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, veçanërisht situatën rreth zgjedhjes së presidentit dhe qëndrimin e gjashtë deputetëve të LDK-së.
Shala vlerëson se pas refuzimit të gjashtë deputetëve për të marrë pjesë në votimin e kandidaturës së Bekim Sejdiut për president, janë rritur gjasat që vendi të shkojë sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Mendoj që pas refuzimit të 6 deputetëve për të marrë pjesë në votimin e kandidaturës së z. Bekim Sejdiu për president, janë rritur gjasat që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme përsëri”, ka thënë Shala.
Megjithatë, ai thekson se ende ekziston mundësia që palët politike të dakordohen për modalitetet e zgjedhjes së presidentit, duke përfshirë edhe nominimin e një emri tjetër konsensual.
“Megjithatë, mendoj që ende ka gjasa që palët të dakordohen për modalitetet, duke përfshirë dhe potencialisht nominimin e një emri tjetër konsensual – një zgjidhje pra të pranueshme e cila do të mund të shmangte një cikël tjetër zgjedhor”, është shprehur ai.
Sa i përket kandidaturës së Bekim Sejdiut, Shala thotë se ajo ka hasur në mirëkuptim dhe respekt mbarë-shoqëror.
“Kandidatura e z. Bekim Sejdiu ka hasur në mirëkuptimin dhe respektin mbarë-shoqëror dhe besoj që ai, si President i ardhshëm, do të ishte në nivelin më të mirë të detyrës, duke shërbyer konform Kushtetutës”, ka deklaruar Shala.
Sipas tij, Sejdiu do të ishte një president me integritet të lartë, i cili do të qëndronte mbi palët politike dhe do të promovonte e ruante karakterin kushtetues të vendit.
Ndërkohë, Shala është pyetur edhe për aktgjykimin që pritet të shpallet në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Shpresoj që gjykimi i saj të jetë i drejtë”, ka thënë Shala për Gazeta Blic.


