Lajme

SBASHK-u i reagon ministres Nagavci: Kujdes nga deklarimet, nuk shantazhohemi!

04/30/2021 10:47
nga:M K

Sindikatat e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i ka reaguar ministres Nagavci lidhur me disa deklarata të kësaj të fundit.

SBASHK-u ka ftuar ministren që të përmbahet nga deklarimet që lexohen si kërcënime, duke precizuar saktë faktin që ata as nuk shantazhojnë, por as nuk shantazhohen, pavarësisht rrethanave, përcjell GazetaBlic.

Më poshtë edhe komunikata e plotë:

Ministre ruaju nga deklarimet që lexohen si kërcënim

Është e natyrshme që MASHTI të përgjigjet e të reagojë ndaj deklarimeve të SBASHK-ut për çështjet e ngritura e të bëra publike, por përgjigja duhet të jetë e mbështetur në argumente të qëndrueshme e në fakte e jo në fjali të veshura me mllef e akuza që nuk qëndrojnë.

E nderuar Ministre as një fakt nuk e ke ofruar në kuadër të akuzës se edhe SBASHK qenka përgjegjës për “rezultatet e ulëta” në arsim. SBASHK nuk ka qenë kreator i reformave, as i kurrikulit, as përpilues e botues i teksteve shumë të kritikuara shkollore e as nuk shpall konkurse e as nuk pranon kuadro në arsim. SBASHK-u as nuk solli vendim që të lirohen nga puna punëtoret shtatzëna e as që ato të zëvendësohen me studentë, kur në Kosovë ka mjaft kuadro të diplomuara që janë duke pritur me vite për të punuar bile ca ditë a javë në arsim.

E nderuara Ministre anëtarësia e SBASHK-ut edhe në vitet e okupimit bëri sakrifica sublime duke mbrojtur arsimin shqip edhe tani në kohë pandemie po bën angazhime të vazhdueshme për të mbajtur sa më gjatë e sa më mirë procesin mësimor edhe për kundër numrit të madh të të prekurve me Covid. Ne madje u angazhuam dhe arritëm të gjejmë mundësi bashkë me institucionet që të lirohen nga procesi mësimor punëtorët arsimor me sëmundje të rënda, por të tjerët as edhe këtë marrëveshje nuk e realizuan ashtu si duhet. Ne vazhdojmë të japim kontribut konkretet në ngritjen e vazhdueshme të cilësisë duke inkurajuar e mobilizuar anëtarësinë e duke mbajtur pa u ndalur trajnime pa pasur mbështetjen e askujt dhe duhet parë të tjerët a po kanë angazhime konkrete në këtë përpjekje.

E nderuar Ministre është e natyrshme që të dallojmë në qasje e deklarime për të njëjtat çështje, por po ju këshillojmë miqësisht të ruheni nga deklarimet që lexohen si kërcënim. Një i tillë, e që keni nisur të përsëritni sa herë po reagoni ndaj deklarimeve e angazhimeve tona është edhe :
“Në këtë kohë kur shumë njerëz i kanë humbur vendet e punës për shkak të pandemisë jo vetëm në Kosovë por gjithandej në botë, mësimdhënësit duhet ta ndjejnë veten me fat që janë në marrëdhënie pune”.

Ne vërtetë jemi krenar e të lumtur që jemi mësimdhënës dhe jemi në punë dhe angazhohemi aq sa mundemi e dimë të arsimojmë e edukojmë brezat, por këto vende pune nuk na i fali dikush për mëshirë e sadaka. Ju duke e përsëritur shpesh këtë deklaratë tuajën sikur po dërgoni mesazh si disa pronarë të firmave private që u thonë të punësuarve, kurdo që ata ankohen arsyeshëm, se duhet të heshtin e të ndihen mirë që janë në punë, se njerëz të papunë ka mjaft.

Ministre, SBASHK-u alarmon, kritikon, angazhohet për realizimin e kërkesave legjitime të anëtarësisë, por nuk shantazhon e as nuk kërcënon, por as nuk u është dorëzuar e nuk u dorëzohet kurrë shantazheve e as përpjekjeve të dikujt që ka tentuar ta lëndoj unitetin e shkëlqyer të sindikatës sonë. Ne do të vazhdojmë të jemi zëri i anëtarësisë sonë dhe presim bashkëpunim korrekt me MASHTI-n.
Prishtinë, 30 prill 2021,
Zyra për informim e SBASHK-ut

LEXO EDHE:

Qëndron Kastrati: Synimi i ministres Nagavci është të krijojë probleme të reja, jo t’i sanojë ato aktualet

/GazetaBlic/