Futbollisti legjendar malazez, Dejan Savicevic në një intervistë për gazetën italiane La Repubblica ndër të tjera ka folur edhe për luftën në Ukrainë.
Savicevic beson se sportistët rusë nuk duhet të vuajnë për shkak të vendimeve të marra nga presidenti i tyre dhe se dënimet për ta janë shumë të rënda, përcjell GazetaBlic Sport.
“Unë nuk po mbroj Putinin, por e them këtë sepse kam përjetuar përjashtimin për shkak të politikës. Sporti është gjithmonë një mesazh paqeje. Futbollistët rusë nuk kanë asnjë lidhje me vendimin e Putinit, ashtu siç nuk bëmë luftën në Jugosllavi 30 vjet më parë”, tha ai.
“Unë shoh një përsëritje të situatës që të rinjtë që ju i njihni mirë në Itali po e përjetojnë gradualisht që nga viti 1992: Mihajlovic, Jugovic, Mirkovic, Kovacevic, Mijatovic, Miloshevic. Si futbollist e humba mundësinë për të luajtur në tre gara të mëdha: Euro 1992 dhe 1996 dhe Kupën e Botës 1994 për asnjë arsye tjetër veçse politike që nuk ka të bëjë fare me sportin,” përfundoi Savicevic.
Kujtojmë, FIFA dhe UEFA, organizatat ombrellë të futbollit, morën një vendim të hënën për të pezulluar të gjitha klubet ruse dhe kombëtaren ruse nga të gjitha garat deri në njoftimin e mëtejshëm për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.
/GazetaBlic Sport


