Lajme

“Samiti në ShBA s’ka vlerë në vete, askush nuk mund të ‘përzihet’ në agjendën e dialogut- Përveç palëve të përfshira”

11/30/2022 18:22
nga:Genita C

“Të kërkohet një Samit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (takim disaditor), deri në përmbylljen e marrëveshjes finale për njohje Kosovë-Serbi”, ishte një ndër pikat e rezolutës së propozuar nga AAK-ja, sot në Kuvendin e Kosovës.

Kjo rezolutë nuk kaloi dhe përveç Qeverisë, po kritikohet edhe nga njohësit e çështjeve politike.

Analisti politik, Gazmir Raci në një prononcim për Gazeta Blic thotë se askush nuk mund të ndërhyjë në agjendën e dialogut Kosovë-Serbi, që përcaktohet nga ndërmjetësuesit.

“Agjenda e dialogut përcaktohet nga tre palët e përfshira në dialog sikurse korniza e dialogut. Askush nuk mund të përcaktojë metodologjinë e punës së ndërmjetësve, sepse janë fuqitë kryesore që janë në këtë dialog, që përcaktojnë rrugën për të ecur drejt marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve”, thotë Raci.

“Kosova duhet të i kushtojë më shumë vëmendje materies, jo metodave se si duhet të zhvillohet”, shton Raci.

Lidhur me këtë, Gazeta Blic ka kontaktuar edhe me anëtarën e PSD-së, Teutë Rrusta e cila thotë se fokusi kryesor duhet të jetë se çka shihet si zgjidhje në marrëveshjen e nënshkruar.

“Ky propozim per samitin në SHBA nuk e ka nje vlerë në vete, detyrimisht. Ajo çka nënshkruhet si marrëveshje dhe çka shihet si zgjidhje duhet të jetë fokusi ynë”, thotë Rrusta.

Rrusta shton se, nuk ka samit që mund ta bëjë të pranushme një marrëveshje që e mban konflikitin gjallë.

“Mos të gënjehemi pas aspektit ceremonial të nënshkrimit të marrëveshjes, vendit dhe mënyrës. Substanca ka rëndësi. Kjo qasje mundet që ta kontrabandojë një marrëveshje që ka pjesë të sajen asociacionin. Nuk ka samit që mund ta bëjë të pranueshme një marrëveshje që e mbanë konfliktin gjallë”, tha Rrusta për GazetaBlic.

Interpelanca e Kurtit, Haradinaj insiston sërish: Vetëm Samit në SHBA për marrëveshjen finale, propozon rezolutë

Kurti: Marrëveshja përfundimtare do arrihet deri në mars të vitit 2023