Lajme

Si i ndihmon teknologjia fëmijët që kanë çrregullime logopedike? – Flet për “Gazeta Blic” logopedi Haliti!

04/27/2024 13:52
nga:N K

Tekonologjia ka transformuar mënyrën se si logopedët trajtojnë dhe ndërveprojnë me fëmijët që kanë çrregullime logopedike.

Lidhur me këtë në një prononcim për ,GazetaBlic, ka folur logopedi Granit Haliti rreth formave më të zakonshme se si fëmijët me çrregullimet logopedike përdorin teknologjinë si ndihmes për komunikimin e tyre.

“Dy format më të zakonshme se si fëmijët përdorin teknologjinë janë ajo aktive duke vepruar në paisje teknologjike, rrjedhimisht duke luajtur në videolojëra dhe ajo pasive duke shikuar dhe dëgjuar paisjet teknologjike përmes videove të llojëllojshme që shfaqen ”, u deklarua ai.

Tutje ai tregon rreth rekomandimeve nga logopedët sa i përket përdorimit të teknologjisë në çrregullimet logopedike.

“Rrjedhimisht në aspektin e zhvillimit kognitiv dhe gjuhësor, nga logopedët rekomandohet që të përdoret teknologjia në mënyrë vetëm direkte të kontrolluar nga prindërit apo kujdestarët e tyre në format interaktive me ato paisje. Aplikacione dhe programe të krijuara për të zhvilluar gjuhën dhe aftësinë njohëse. Materiale të pasura me audio dhe video në gjuhën amëtare të fëmijëve të cilat shfaqin intonacion, informacione dhe pamje të pranueshme për moshën e fëmijës”, tha ai.

Ai gjithashtu foli edhe rreth disa mënyrave për të përzgjedhur aplikacione apo aktivitete që realizohen përmes paisjeve teknologjike.

“Duke eliminuar ato të cilat kërkojnë kohë të gjatë të të shikuarit apo dëgjuarit, me qëllim që të mos qëndroj për kohë tejet të gjatë i kyqur në paisje teknologjike.Të mos përmbajë nxitje të dhunës fizike, përqeshjes së njërit karakter apo tjetrit, garës për të qenë fokusi vetëm tek fituesi.Të mos ketë zë të lartë dhe afërsi të madhe të paisjes me fëmijën.Dhe të përmbajnë edhe nxitje të diskutimit dhe pyetjeve përgjatë zhvillimit të aktivitetit në paisje teknologjike, nxitje të mendimit kritik dhe zgjidhjes së problemeve në lojëra dhe diskutim duke bërë pyetje prindi se cfarë mendon që mund të ndodhë në vazhdim të një videoje, ose çfarë do të bënte më ndryshe fëmija, kjo me qëllim për të krijuar diskutim aktiv në mes anëtarëve të shtëpisë, por edhe duke qenë diskutimi në qendër dhe jo vetëm paisja teknologjike”, u shpreh ai.

Më tej logopedi Haliti foli dhe për ndryshimet e trajtimit të çrregullimeve logopedike nëpërmjet telemedicinës dhe teknologjisë së largësisë.

“Në vitet e fundit, sidomos nga periudha e pandemisë, përmes telemedicinës apo seancave virtuale, trajtimi logopedik per disa çrregullime si belbëzimi, vazhdimi i trajtimit te çrregullimit të dislalisë dhe disa çrregullimeve të tjera specifikisht për mosha shkollore dhe më të rritur, janë lehtësuar dhe kanë ardhur si formë e re e mbajtjes së trajtimit. Kjo ka bërë që trajtimi logopedik të arrij të mbahet në gjuhën amë edhe për fëmijët e mërgimtarëve, të cilët hasin vështirësi të i dërgojnë fëmijët e tyre tek logopedi shqipfolës”, theksoi ai.

Sipas logopedit egzistojnë disa metoda më efektive për të përfshirë teknologjinë në mësimin e gjuhës dhe komunikimit për fëmijët me çrregullime logopedike.

“Ndër metodat me të mira për të përfshirë teknologjinë gjatë trajtimit logopedik tek fëmijët me nevoja të veçanta dhe sidomos tek ata të cilët ende nuk kanë të zhvilluar komunikimin verbal.Tek këta fëmijë, paisja teknologjike mund të përdoret në forma të komunikimit alternativ, duke mësuar fëmijën që përmes fotove të tregoj dëshirat, kërkesat dhe nevojat e tij”, vazhdoi Haliti.

I pyetur se si mund të monitorohet dhe vlerësohet progresi i fëmijëve nëpërmjet përdorimit të teknologjisë në trajtimin e çrregullimeve logopedike, logopedi, tha se mund të ketë rivlerësim të kohë paskohëshëm.

“Vlerësimi sidomos në çrregullimin e belbëzimit mund të jetë ngjashëm dhe lehtë e dokumentueshme duke bërë vlerësim dhe rivlerësim të kohë paskohëshëm, varësisht objektivave të vendosura.Forma më e përdorshme aktualisht është kombinimi i formave të trajtimit duke bërë disa seanca virtuale dhe disa në formën fizike, sidomos në rivlerësim apo në udhëzime specifike të cilat kërkojnë shpjegime konkrete për komunikim të mirëfillt”, përfundoi logopedi i angazhuar në  QKUK, Granit Haliti.