Lajme

“Sa herë e kthejsha sofrën më arrestonin” Vllasaliu tregon përballjen me forcat serbe

07/29/2023 22:34
nga:Y I

I ftuar në emisionin “FAKTE me Adnan MEROVCIN” në KlanKosova, në ciklin e emisioneve në terren, ishte veprimtari Shaban Vllasaliu, ku foli për komunën e Novobërdës gjatë dekadës 1998/1999, e jo vetëm.

Si komunë e përzier me serbë e shqiptarë, ku dominon serbët, Vllasaliu thotë se e kishin goxha vështirë të merrnin financimin e Fondit të 3 përqindshit, pasi kushdo që vinte për t’ua sjellë ndihmat ndiqej nga forcat policore serbe.

Ai gjithashtu shton se falë angazhimit të tyre, asnjë familje nuk ka mbetur në kushte të rënda ku i cenohej jetesa.

Si ndihmesë ai shton se i doli edhe vetë populli, i cili në shumicën e rasteve dhuroi miell për banorët në nevojë.

“I kemi marrë 3000 kilogram. Kur i morëm me katër traktora, na i morën policia e Novobërdës dhe nuk e kthyen më kurrë. Kemi marrë edhe prej Këshillit të Financimit e në të gjitha anët për me furnizu atë popull”, u shpreh ai.

I pyetur se a kishte vetë personalisht përballje me ta, Vllasaliu tha se “për çdo ditë që e kthejsha sofrën ardhshin më marrshin policia, më çojshin në stacion”.