Lajme

Rrëfimi nga Istogu për vrasjen e të moshuarit: Doli për të ecur, shoku i tij e hapi derën e cila e zuri përfundi

06/29/2021 16:57
nga:M K

Zenel Ramqaj, 78-vjeç, vdiq dje pasi e zuri dera e oborrit të Shtëpisë së të Moshuarve në Gurrakoc të Istogut, atje ku qëndroi nga viti 2008. Derën e kishte hapur shoku i tij Ukë Dautaj, 71 vjeç, i cili tashmë po hetohet për vepren penale “Vrasje nga pakujdesia”.

Ishte banor i Shtëpisë së të Moshuarve që nga themelimi i saj, por dje ishte dita e fundit e jetës së tij. I ndjeri dhe i dyshuari, kishin raporte të mira mes vete, thanë nga kjo shtëpi, por e gjitha dyshohet se ndodhi në mënyrë aksidentale.

Njëra nga infermieret në Shtëpinë e të Moshuarve në Gurrakoc, rrefeu sesi erdhi deri te ngjarja.

“Rasti ka ndodhur dje rreth orës 07:56. Banori ka dalë me shëtitë si zakonisht, rutinë e tij ka qenë me dalë me ecë në mëngjes. Tjetri i moshuar ka shku, si lloj kontrolle, me u kujdes për rezidentin, edhe në momentin që e hap derën rezidenti i bjen dera e oborrit…Ne ndihmën e parë ia kemi dhënë, njëherë e kemi dërgu në QKMF në Istog pastaj në Pejë, në Spitalin Rajonal të Pejës. Lëndime të jashtme nuk ka pas shumë, vetëm pak dy gërvishje në fytyrë”, tha infermierja për Gazetën Express.

Ngjarja është filmuar edhe nga kamerat e sigurisë.

“Trupi është në ekzaminim, e kanë dërgu për autopsi. Gjithmonë kanë pas raporte të mira, ka qenë vdekje e rastëshme sepse janë pa edhe në kamera”, përfundoi ajo.

Një nga banorët e Shtëpisë së të Moshuarve që ka qenë koleg i të ndjerit u shpreh: “Ngjarjen nuk e kam pa se kam qenë brenda, por duke e çelë derën, i ka ra atij përmbi”.

Te Shtëpia e të Moshuarve sot qëndronte edhe motra e Ukë Dautajt, i cili e kishte hapur derën, që dyshohet se u bë shkak i vdekjes së 78-vjeçarit. Ajo tha se ndihen shumë keq se çfarë ka ndodhur dhe se vëllai i saj gjithmonë ka pas sjellje të mira.

“I shpreh ngushëllime, shumë ndihem keq, sikur neve me na ndodh. Bile ishëm kanë më të kënaqur ai me pas qenë në vendin e tij. Neve na lajmëroj një moter se qysh ka ndodh rasti dhe erdhëm pak me u njoftu, se skemi ardhë me nda drejtësi. Policia është për këtë….Që pesë vite që është këtu, ka qenë i sjellshëm, i mirë…Por kjo është aksidentale, ka ndodh prëj pakujdesisë…Deren s’e kemi kqyr a punon apo jo”, u shpreh ajo.

Për rastin është deklaruar edhe zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, i cili tha se ndaj të dyshuarit do të bëhet kërkesë në Gjykatën Themelore për sigurimin e prezencës të pandehurit në procedurë penale.

“Për këtë rast, me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar një përson i dyshuar për 48 orë. Gjithashtu, gjatë ditës se sotme, Prokuroria Themelore në Pejë, do paraqet kërkesën në Gjykatën Themelore për sigurimin e prezencës të pandehurit në procedurë penale. Rasti në ketë fazë është duke u hetuar në drejtim të veprës penale “Vrasje nga pakujdesia”. Policia e Kosovës është autorizuar nga prokurori i shtetit për marrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme për ndriçimin e kësaj çështje. Po ashtu, me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obdukim në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, tha Nikçi.

Policia e ka cilësuar rastin si “vrasje nga pakujdesia”, në raportin e saj 24-orësh.

“VRASJE NGA PAKUJDESIA Istog 28.06.2021 07:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që dyshohet se i njëjti kishte shtyre derën e rrethojave të oborrit të shtëpisë së të moshuarve me ç’rast dera e ka goditur viktimën mashkull kosovar. Viktima është dërguar ne QKMF ne Istog dhe me pas në Spitalin e Pejës ku mjeket kanë konstatuar se viktima nuk ka shenja jete. Në vendin e ngjarjes kane dalë të gjitha njësit relevante. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit, me urdhër të tij i dyshuari është dërguar në mbajtje ndërsa trupi i pa jete është dërguar në IML për obduksion. Rasti vazhdon të hetohet”, është thënë në raportin e policisë.