Shqipëria do të përballet, në kuadër të kualifikueseve të EURO 2024, me Republikën Çeke më 7 shtator në Pragë dhe me Poloninë më 10 shtator në “Air Albania”.
Kuqezinjtë kërkojnë rezultate sa më pozitive në këto dy takime, duke bërë më pas një tjetër hap të madh drejt kualifikimit në Kampionatin Evropian, shkruan GazetaBlic Sport.
Të drejtuarit e Sylvinhos janë momentalisht në vendin e dytë në grup, duke siguruar 6 pikë nga 3 ndeshjet e para, me një humbje ndaj Polonisë dhe dy fitore ndaj Moldavisë, respektivisht Ishujve Faroe.
Ish futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë, Altin Rraklli tha për ‘GazetaBlic Sport‘ se as Çekia dhe as Polonia nuk janë kombëtare të pamposhtura, duke besuar se kuqezinjtë mund të marrin pikë nga dy takimet.
“Sipas mendimit tim, mendoj se jemi në një grup të tillë ku në një ditë të mirë, le të themi se skuadra jonë mund të fitojë ndaj të dyja skuadrave favorite (Çekisë dhe Polonisë), por edhe në një ditë të keqe mund të humbasim ndaj skuadrave që ne supozojmë se janë poshtë nesh si Moldavia dhe Ishujt Faroe. Me pak fjalë, për mendimin tim, Çekia, por veçanërisht Polonia, janë të kombëtare që mund të mposhten por siç thashë, ne duhet të jemi në të gjithë komponentët që i duhen skuadrës në formën më të përsosur.
Të dyja këto 2 skuadrat e favorite në letër kanë treguar dobësi në ndeshjet që kemi parë deri tani, prandaj jam i bindur nuk janë të pamposhtura, veçanërisht Polonia“, tha fillimisht ai.

Më pas, Rraklli u pyet edhe për mundësinë e kualifikimit të madh të Shqipërisë në ‘Euro 2024’, atje ku shfaqi optimizmin e tij.
“Patjetër që kemi shanse të mira dhe duhet t’i marrim ndeshjet një nga një me radhë. Duhet fillimisht të fokusohemi tek kjo që është më e afërta kundër Çekisë dhe për mendimin tim çelësi i suksesit është nëse arrijmë të paktën një barazim atje dhe më pas mendojmë për “finalen” me Poloninë në Tiranë. Deri tani skuadra ka treguar kompaktësi në grup dhe dëshirë të madhe, shpresoj që këto 2 ndeshje të jenë të njëjta dhe lojtarët të jenë në formë maksimale”, përfundoi Rrakli.
/GazetaBlic Sport/


