Sporti

Petrit Sadriu: Superliga e Evropës një krijesë laboratori që nuk jep emocion, Bayerni nuk e harron sakrificën dhe historinë

04/21/2021 09:18
nga:Mergim Rreci

Ideja e krijimit të Superligës së Evropës ka alarmuar institucionet evropiane e ndërkombëtare të futbollit, por edhe një pjesë të madhe të tifozëve gjithandej botës.

Tifozët po e vlerësojnë këtë nismë si totalisht të interesit financiar, nismë kjo që shuan “zjarrin” emocional të futbollit si dhe garën e vërtetë të këtij sporti, shkruan GazetaBlic Sport.

Ishin fillimisht 12 klube që u deklaruan edhe zyrtarisht si pjesë e Superligës së Evropës, klube këto që jo pak e kanë trazuar stabilitetin e futbollit evropian ditëve të fundit.

“Krijuar nga të varfërit, vjedhur nga të pasurit” ishte një parullë që shoqëroi ditëve të fundit këtë nismë të re, nismë kjo që vazhdon të kritikohet fuqishëm edhe nga tifozët e klubeve që janë pjesë e saj.

Madje, tifozët e Chelseas dhe Liverpoolit protestuan para stadiumit ditën e djeshmme, protesta këto që ndikuan në largimin e këtyre skuadrave nga kjo nismë.

Janë disa skuadra tashmë të larguara edhe zyrtarisht si dhe kemi një komunikatë nga kjo Superligë që njofton se ky projekt është pezulluar përkohësisht.

Ideja ishte që brenda kësaj Superlige në fillim të ishte edhe skuadra e Bayern Munich, ajo e Dortmund dhe Leipzig nga Gjermania, por që në një vendim të përbashkët ato vendosen që përfundimisht të mos i bashkohen asaj.

Në lidhje me këtë gjë, Petrit Sadriu, udhëheqësi i tifo-grupit “Bavarezët”, në Kosovë, u prononcua për GazetaBlic Sport.

Ai tha fillimisht se emocionet që kompeticioni i Ligës së Kampionëve i ofron për tifozët janë të pazëvëndesueshme.

“Liga e Kampioneve padyshim është gara, e cila të dhuron emocionet më të mëdha të mundshme në garat ekipore. Nëse të gjithë furbollistët ëndrrojnë që të fitojnë një herë në jetë këtë titull, një gjë e tillë vlenë edhe për tifozët e skuadrave pjesëmarrëse në këtë kompeticion. Janë ndeshjet e kësaj gare ato të cilat mbetën në kujtime për një kohë të gjatë tek secili tifoz. Janë këto ndeshje, të cilat pas 90 Minutave (ndonjëherë edhe më shumë) të zhysin në momente hidhërimi, gëzimi, krenarije por edhe zbarzëtie të pafund. Mund të flas për shumë tifozë bavarezë të Fan Clubit tonë, të cilët pikërisht në momente të rënda për Bayernin janë bërë tifoz të kësaj ekipe, si p.sh humbjet në vitin 1999 ose 2012. Por janë triumfet dhe fuqia pozitive e fituar nga ato momente kritike, ato të cilat i bëjnë këto ndeshje historike dhe të bëjnë krenar të jesh tifoz i FC Bayern München“.

Më pas ai tha se krijimi i kësaj Superlige është gjithçka tjetër përveç se një super kompeticion. Sadriu tha se skuadrat harruan identitetin e tyre duke u bërë pjesë e një krijese të formuar në laborator që nuk ofron emocione.

“Personalisht mendoj që krijimi i kësaj të ashtuquajture “Super Ligë” është gjithçka tjetër përveç super. Është një krijesë e formuar në laborator dhe në shikim të parë nga disa emra pjesëmarrës në këtë kompeticion mund të duket edhe joshëse, mirëpo në këtë garë nuk do të ketë emocione, të cilat i përjetojmë çdo fundjavë në ligat kombëtare dhe në mesjavë gjatë Ligës së Kampionëve. Skuadrat në këtë garë për fat të keq harruan origjinën e tyre dhe mënyrën se si janë krijuar ato. Shumica nga ato skuadra janë krijuar nga personat më të thjeshtë të shoqërisë dhe në ndeshjet e garave kombëtare ka pasur mundësi që punëtori i një fabrike të jetë duke përkrahur ekipën e zemrës përkrah mjekut, profesorit universitar, studentit, pensionistit apo politikanit.

“Nëse marim parasysh psh PremierLigën, skuadrat e Liverpoolit apo te Manchester United jane rritur dhe kanë krijuar histori duke u ndeshur me Millwall, West Ham, Nottingham Forrest apo Leeds dhe se nga këto ndeshje Liverpool e Manchester United janë rritur dhe bërë të mëdhenjë. Andaj mendoj që largimi nga identiteti i klubit dhe ajo se çfarë përfaqëson ajo skuadër ishte e dhimbshme për secilin tifoz” tha Sadriu.

Më pas ai foli në lidhje me vendimin e skuadrës së Bayernit për të mos qenë pjesë e kësaj Superlige, ku tha se historia në të cilën ka kaluar ky klub nuk e la atë të “fundoset” në këto “ujëra”.

“Si tifoz i Bayernit më bënë krenar ky vendim i marë nga kryesia e klubit. Është e rëndësishme të theksohet se Bayerni është një klub, i cili nuk largohet dhe nuk harron traditat dhe historinë e saj. Nuk e harron origjinën, virtytet dhe vlerat e saj dhe gjithnjë i mbetët besnik atyre parimeve. Bayern München gjatë historisë ka pasur dy presidentë që kanë qenë të përndjekur nga nacionalsocialistët për shkak të besimit të tyre. Bayerni gjithashtu në themelimin e Bundesligës nuk ka qenë pjesëmarrëse e Bundesligës 1 por për dy vite ka luajtur në Bundesliga 2 deri në promovimin në Bundesliga 1”.

“Këto përndjekje gjatë viteve 30′ dhe 40′ si dhe vështirësitë të fillim të viteve 50′ ndikuan që Bayern München kurrë mos të harroj sakrificën e personave që mbështetën klubin në kohërat më të rënda të saj. Përveç kësaj Bayern München ështe klub, i cili në shumë raste ju ka ndihmuar skuadrave tradicionale të mëdha gjermane kur ato ishin në kriza financiare. Andaj veprimi për mos pjesëmarrje në “Super Ligë” është thjesht edhe një herë vërtetimi i asaj që Bavarezët nuk i tradhëtojnë tifozët e tyre e as nuk e harrojnë historinë” përfundoi me deklarimin e tij Sadriu.

/GazetaBlic/