Lajme

“Ringjallje e dialogut”/ Arifi tregon kërkesat që do të vijnë për Kosovën e Serbinë nga Pesëshja e madhe

10/18/2023 14:16
nga:G B

Pesë përfaqësues nga SHBA, Gjermania, Italia, Franca dhe përfaqësuesi i BE-së, Mirosllav Lajçak, do të vizitojnë Kosovën dhe Serinë këtë javë.

Ata do të qëndrojnë për vizitë në vend dhe në Serbi me 21 tetor.

Grupi që njihet si Pesëshja e madhe do të bëjë vizitën e parë në Kosovë dhe Serbi pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Mitrovicës.

Lidhur me këtë, ish kryenegociatori i dialogut Kosovë-Serbi, njëherësh ish ambasadori i Kosovës në Emiratet Arabe, Avni Arifi, thotë për Gazeta Blic se vizita do të jetë ringjallje e procesit të dialogut.

“Kjo vizitë, por edhe pothuajse çdo angazhim i vendeve perëndimore është dhe do të jetë për rikthim apo ringjallje të procesit të dialogut, i cili pas dështimit të 14 shtatorit dhe sulmit terrorist të 24 shtatorit ishte afër dështimit total”, vlerëson ai.

Sipas Arifit, pritet të ketë presion ndaj Serbisë për dënimin e sulmit në veri, ndërsa ndaj Kosovës do të kërkohet drafti i statutit të Asociacionit.

“Ajo çka pritet është një presion ndaj Serbisë për dënimin e ngjarjeve te 24 shtatorit me potencialisht propozime konkrete për format e bashkëpunimit me hetuesit e Kosovës, kurse natyrisht pres që ndaj Kosovës të kërkohet implementimi i pikës së pestë të Marrëveshjes së Ohrit, e që është drafti i statutit të Asociacionit”, deklaron Avni Arifi./Gazeta Blic/

Pesëshja e madhe në Kosovë e Serbi/ Deputeti i VV-së: Fokusi te ndryshimi i qasjes në dialog