Lajme

Rihapet shqyrtimi gjyqësor ndaj ish-prokurorit Metush Biraj dhe dy tjerëve

12/11/2025 14:27
nga:Sh R

Gjykata Themelore në Prishtinë ka rihapur shqyrtimin gjyqësor ndaj ish-prokurorit Metush Biraj, si dhe dy të akuzuarve tjerë Shkodran Pulaj dhe Naim Osmani.

Në këtë rast, ish-prokurori Metush Biraj akuzohej për “Marrje ryshfeti”, kurse Shkodran Pulaj dhe Naim Osmani ngarkoheshin për “Dhënie ryshfeti”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i trupit gjykues, Lufi Shala tha se Gjykata sipas vlerësimit, ka gjetur se duhet të administrohen prova shtesë, me qëllim të ndriçimit të saktë të gjendjes faktike.

Shala tha se trupi gjykues në përputhje me dispozitat ligjore të parapara në nenin 358, paragrafi 1 të Kodit të Procedurës Penale, pas analizimit dhe vlerësimit të provave, nxori aktvendim të rihapet shqyrtimi gjyqësor në këtë çështje penale.

“Gjatë analizimit të provave në procedurën e deritanishme, trupi gjykues ka marrë informacione të reja relevante që ndikojnë drejtpërdrejt në sigurimin dhe analizimin e provave të reja, të cilat konsiderohen të domosdoshme për sqarimin e plotë të gjendjes faktike. Në bazë të nenit 358, par.1 të KPPRK-së, Gjykata ka kompetencë të rihapë shqyrtimin gjyqësor kur konstaton se ka rrethana për marrjen e provave shtesë për të arritur në një vendim të drejtë dhe të bazuar në ligj”, tha gjykatësi.

Sipas tij, trupi gjykues pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe materialit provues, vlerëson se ekziston nevoja për sigurimin dhe administrimin e provave të reja, të cilat lidhen drejtpërdrejt me rrethanat faktike të ngjarjes që ndikojnë në vlerësimin juridik për veprat penale që iu vihen në barë të akuzuarve.

Për këto arsye, urdhërohet rihapja e shqyrtimit gjyqësor, me qëllim të sigurimit dhe administrimit të këtyre provave.

Seanca e radhës do të caktohet pas sigurimit të provave të kërkuara nga Gjykata.

Ndryshe, në seancën e 27 nëntorit 2025, trupi gjykues duke vlerësuar sipas propozimit të mbrojtësve, i shpalli të papranueshme provat: raporti i ekspertizën teknike dhe profesionale, video-incizimi i komunikimit i cili është privat i raportit të ekzaminimit të telefonit, raporti i ekspertizës së komunikimit të të akuzuarve Metush Biraj dhe Shkodran Pulaj, komunikimet me chat në mes Birajt dhe Pulaj të cilat janë private, transkriptet e komunikimeve digjitale në mes Shkodran Pulajt dhe Afrim Osmanit, si dhe komunikimi mes Shkodran Pulajt dhe Naim Osmanit. Gjykata vlerësoi se ato prova janë marrë në kundërshtim me normat ligjore dhe duke cenuar të drejtat e të akuzuarve të garantuara edhe me Kushtetutën e Republikës së Ksovës.

Ndërkaq, edhe në fjalën përfundimtare më 8 dhjetor 2025, mbrojtja tha se prova (video-incizimi ku vërtetohet marrja dhe dhënia e ryshfetit) ishte nxjerrë kundërligjshëm, ndërkaq prokurorja speciale Shenaj Berisha tha se kjo provë është e ligjshme.

Tre të akuzuarit, në seancën fillestare më 16 tetor 2024 janë deklaruar të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.

Aktakuza ndaj ish-prokurorit Biraj dhe dy të tjerëve u ngrit më 4 mars 2024, pas hulumtimit të “Betimi për Drejtësi” publikuar më 2 dhjetor 2023 me titull “Si ish-prokurori Metush Biraj dyshohet se mori ryshfet për të dështuar aktakuzën për 130 kilogramë marihuanë”, ku prokurori Biraj dyshohej se kishte marrë ryshfet rreth 5 mijë euro, për të tërhequr kërkesën për paraburgim të të arrestuarve Naim Osmani, Ukë Sadrijaj dhe Arbër Salihu, ndërsa rreth 20 mijë euro për dështim të rastit, përkatësisht tërheqjes nga aktakuza.

Ndryshe, aktakuza për këtë çështje penale është ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjilan – Departamenti për Krime të Rënda. Për shkak se rasti ka të bëjë me një ish-prokuror të regjionit të Prizrenit, kjo çështje për gjykim ishte dërguar në Gjykatën Themelore në Gjilan, në Departamentin për Krime të Rënda. Mirëpo, Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Gjilan ka deleguar lëndën në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e ky i fundit kishte hapur një konflikt lidhur me kompetencën lëndore të këtij rasti.

Por, Gjykata e Apelit ka vendosur se kompetent për zgjidhjen e kësaj çështje penale është Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sipas aktakuzës, Metush Biraj po akuzohet se në mes të muajve prill dhe korrik të vitit 2023, në Prizren, në cilësi të prokurorit të shtetit të Prokurorisë Themelore në Prizren, me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejt pranon ofertën ose premtimin për dhuratë, në shumë prej 20 mijë eurove, për të vepruar në pajtim me detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që gjatë përfaqësimit në Gjykatën Themelore në Prizren, më 31 mars 2023, në këmbim të premtimit heq dorë nga ndjekja penale në mungesë të provave ndaj të akuzuarve: Naim Osmani, Ukë Sadria dhe Arbër Saliu, për shkak të veprës penale ‘’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’’, të KPRK-së.

Tutje, aktakuza thotë se Biraj këtë e ka bërë në bazë të premtimit të marrjes së të hollave siç rezulton nga lënda penale në Prizren kur arrestohet edhe tani i akuzuari Shkodran Pulaj për shkak të veprës penale ’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe sekuestrohet një telefon i tipit “Samsung A52”.

Sipas prokurorisë, gjatë ekzaminimit të këtij telefoni nga Drejtoria e Teknikës Kriminalistike në Prishtinë se ka rezultuar se prokurori Biraj ka biseduar nëpërmjet rrjeteve sociale “Viber” me të akuzuarin Pulaj si dhe i akuzuari Naim Osmani ka biseduar me Pulajn nëpërmjet rrjetit social “Whats App”, dhe nga CD dëgjohet duke komunikuar Pulaj dhe Biraj, e që nga bisedua e lartcekur kuptohet se janë premtuar të holla në këmbim të heqjes dorë nga ndjekja penale në rastin e lartcekur, e që këtë veprim Biraj e ndërmerr përkundër udhëzimeve nga ana e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren që të vazhdohet me ndjekjen penale.

Me këto veprime, Biraj ngarkohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, paragrafi 1 të KPRK-së.

Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të kësaj akuze, të akuzuarit Pulaj dhe Osmani akuzohen se në vend dhe kohë të përshkruar në dispozitivin e parë, të njëjtit me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë premtuar dhënien e ryshfetit për personin tjetër – tani të akuzuarin e parë Biraj, me qëllim që i njëjti, në cilësinë e prokurorit të shtetit, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor te datës 31 mars 2023, të heq dorë nga aktakuza kundër të akuzuarve Naim Osmani, Ukë Sadria dhe Arbër Saliu, për shkak të veprës të sipërshënuar penale.

Me këto veprime, Pulaj dhe Osmanaj akuzohen se kanë kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit’’ nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

“Betimi për Drejtësi” më 2 dhjetor 2023 ka transmetuar hulumtimin se si ish-prokurori Metush Biraj dyshohet se mori ryshfet për të dështuar aktakuzën për 130 kilogramë marihuanë. Aty ishte siguruar një video-dëshmi, ku zhvillohen biseda për të ndikuar në rastin e drogës, në mes ish-prokurorit Biraj dhe të dyshuarit Shkodran Pulaj.

Bazuar në aktakuzën e plotë të ngritur nga prokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Isuf Sadiku, del të mos jetë marrë për bazë shuma e përmendur në video incizim prej 20 mijë euro.

Prokurori Sadiku ka ngritur akuzën duke u bazuar në paragrafin 1 të nenit 421 për “Marrje Ryshfeti” dhe 422 për “Dhënie Ryshfeti” të Kodit Penal të Kosovës. Këto paragrafe, një prej tyre parasheh dënim me gjobë dhe burgim nga 1 deri në 8 vjet burgim, kurse tjetri deri në 5 vjet. Derisa, paragrafët tre të këtyre dy neneve parashohin se në rastet kur kemi të bëjmë me marrjen, respektivisht dhënien e ryshfetit për shumën që tejkalon 15 mijë euro, sikurse në rastin e Birajt, atëherë dënimi shkon nga 5 deri në 15 vjet burgim për marrje ryshfeti e deri në 8 vjet burgim për dhënie të tij.

Për këtë rast, pas publikimit të hulumtimit të “Betimi për Drejtësi” kishte reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. /BetimipërDrejtësi