Lajme

Rexhaj: Mbyllja e shkollave me pak nxënës rrezikon braktisjen e arsimit në zonat rurale

01/03/2026 11:13
nga:Y I

Ish-zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj foli për Front Online në lidhje me këtë gjendje dhe tha se mbyllja e shkollave me pak nxënës është pjesë e një trendi dhjetëvjeçar të rënies së numrit të nxënësve në Kosovë, veçanërisht në zonat rurale.

“Kjo është pjesë e një trendi të përgjithshëm në dhjetë vitet e fundit në Kosovë të rënies së numrit të nxënësve, por në veçanti në zonat rurale, sepse lëvizja e popullatës në Kosovë është drejt vendeve evropiane, por edhe prej zonave rurale drejt zonave urbane, zonat rurale dhe pjesët ku shkollat e vogla janë më të shumta janë dyfish më të goditura”, tha ai.

Rexhaj tha se autoritetet arsimore nuk duhet t’i lënë pas shkollat vetëm pse janë më të vogla, duke nënvizuar se autoritetet lokale dhe ato qendrore, si dhe vetë shkollat janë të obliguara të ofrojnë një minimum të shërbimeve arsimore për të gjithë fëmijët.

“Autoritetet arsimore nuk duhen t’i lënë shkollat pas vetëm se janë më të vogla, ato janë të obligueshme edhe autoritetet vendore lokale, komunat, edhe autoritetet qendrore, por edhe shkollat janë të obliguara që të ofrojnë një minimum të shërbimeve arsimore për të gjithë fëmijët”, tha Rexhaj.

Ai shtoi se nxënësit duhet të kenë qasje në kabinete, teknologji të reja, mundësi socializimi, argëtimi dhe ai tha se këto standarde duhet të sigurohen për të gjithë fëmijët, pavarësisht madhësisë së shkollës.

“Duhet të kenë qasje në kabinete, duhet të kenë qasje në teknologji të reja, duhet të kenë mundësi socializimi, duhet të kenë mundësi të argëtimit dhe të kalimit të kohës me fëmijë të tjerë dhe duhet të kenë mundësi të garës, kompeticionit, bashkëpunimit në mësim, këto duhet të sigurohen”, shtoi ai.

Ai paralajmëroi se mbyllja e shkollave mund të çojë në braktisje të arsimit, pasi jo të gjithë prindërit kanë mundësi t’i dërgojnë fëmijët në zonat urbane, duke bërë që mungesat të zgjasin dhe në disa raste të përfundojnë me braktisje të shkollimit.

“Jo të gjithë prindërit kanë mundësi t’i dërgojnë fëmijët e tyre në qytet, në zonat urbane dhe në ndonjë rast, jo po e dërgoj këtë muaj, jo muajin tjetër, kalon semestri, gjysmëvjetori, kalon viti dhe fëmija braktis shkollimin”, tha ai.