Ballkani do ta mirëpresë nesër përkrahjen e qindra shqiptarëve që pritet të jenë në tribuna në ndeshje me Astanën, e vlefshme për fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
Kampioni kosovar do të luajë në Kazakistan nesër duke filluar nga ora 16:30 me kohën tonë lokale, kurse sot ka kryer seancën e fundit stërvitore.
Drejtori për Media dhe Marketing, Kushtrim Reshitaj tha për ‘GazetaBlic Sport’ se pritja nga skuadra vendase ka qenë fantastike.
“Skuadra dhe klubi i Ballkanit me të arritur në aeroport, është pritur nga përfaqësuesit e Astanas. Poashtu pritje me plot respekt e ka përshkuar çdo moment Ballkanin, duke na qëndruar afër për çdo gjë“, tha fillimisht ai.
Tutje, ai tha se edhe komuniteti shqiptar atje po i qëndron afër skuadrës kampione të Kosovës, kurse mbi 400 shqiptarë janë pajisur me bileta për ndeshjen e nesërme.
“Edhe komuniteti shqiptar që jeton e vepron në Kazakistan, na kanë kontaktuar, disa kanë ardhur edhe për t’na takuar nga afër, duke e ofruar mbështetjen e tyre për kampionët e Republikës së Kosovës. Një numër i konsiderueshëm, mbi 400 perosna janë pajisur me bileta për ndeshjen e nesërme, ku do të jenë të pranishëm në stadium në përkrahje të Ballkanit“, përfundoi Reshitaj.
/GazetaBlic Sport/


