Lajme

“Republika nuk është garë automobilistike ta marrë kupën i pari” – Kajtazi rikthen deklarimin e Kurtit, thotë se ashtu do të ndodhë

02/10/2025 15:51
nga:G B

Para se të mbaheshin zgjedhjet Lëvizja Vetëvendosje kishte thënë se do ta formonte qeverinë vetëm në koalicion me partitë e minoriteteve, teksa kishte përjashtuar koalicionin me partitë opozitare shqiptare dhe Listën Serbe.

Ndonëse VV e ka në rrezik Qeverinë e re, kryeministri në detyrë Albin Kurti tha dje se ata do të arrijnë ta formojnë ekzekutivin e ri.

Megjithatë, sa ishte opozitar më 2014, Kurti kishte thënë se gara zgjedhore nuk është garë automobilistike “që i pari ta fitojë kupën”.

Sipas tij zgjedhjet demokratike në Republikë kanë të bëjnë me atë se kush e formon shumicën, duke shtuar se logjika ‘i pari në garë’ është monarkiste.

“Ata e mendojnë garën zgjedhore si një garë automobilistike, kush dul i pari me e marrë kupën. Por Republika nuk është garë automobilistike. Zgjedhjet demokratike në Republikë është kush e formon shumicën e tërësisë. Tërësia është çështja, e shumica është vendimmarrja. Por jo kush është i pari në garë, po kush e formon shumicën. Ka pafund raste të tjera në shtete të tjera anembanë botës kur partia e parë s’arrin me kriju shumicën edhe kot është e para. Sepse Republika e tillë është parlamentare e demokratike. Kjo logjika ‘i pari në garë’ është realiste, monarkiste”, thoshte Kurti.

Deklarimin e tij e ka kthyer edhe njëherë gazetari Vehbi Kajtazi.

Ai ka thënë se kësaj radhe do të ndodhë siç kishte thënë Kurti më 2014, se shumica e VV-së nuk do ta formojë Qeverinë.

“Kesaj radhe do te ndodhe keshu i nderuar. Sepse i pari nuk e krijon shumicen. Respekt dhe te fala hajvanave dhe hajvanatit tend ne krye me ty!”, ka shkruar Kajtazi.