José Mourinho vazhdon të ndërtojë planin e tij për drejtimin e Real Madridit. Trajneri portugez është i vetëdijshëm se suksesi i projektit të tij varet edhe nga vendimet e duhura në afatin kalimtar, ndërsa këtë herë fokusi është te porta.
Në këtë repart, pavarësisht problemeve fizike, Thibaut Courtois mbetet i paprekshëm. Portieri 34-vjeçar pësoi një goditje të rëndë gjatë Kupës së Botës 2026 me Belgjikën, pas eliminimit nga Spanja, por tashmë ka arritur marrëveshje për të qëndruar te Real Madridi deri në vitin 2027.
Madje, sipas raportimeve, drejtuesit e klubit do të zhvillojnë bisedime për t’ia zgjatur kontratën edhe përtej verës së ardhshme.
Sipas gazetës As, drejtuesit e Real Madridit besojnë se pozita e portierit është e mbuluar në mënyrë ideale.
Courtois vazhdon të konsiderohet një nga portierët më të mirë në botë, ndërsa Andriy Lunin e ka pranuar në mënyrë shembullore rolin e portierit rezervë dhe gëzon besimin e plotë të klubit madrilen.
Në të njëjtën kohë, për të ardhmen afatgjatë, Real Madridi llogarit te dy talentët e rinj, Fran González dhe Javi Navarro.
Për këtë arsye, As raporton se fituesi rekord i 15 trofeve të Ligës së Kampionëve nuk ka ndërmend të dalë në treg për të transferuar një portier të ri, të paktën për momentin.
“Ka besim të plotë te ajo që klubi ka aktualisht dhe te ajo që po vjen për të ardhmen”, përfundon raportimi.


