Lajme

Reagon Blerim Latifi për rezolutën e referendumit serb

01/15/2022 22:32
nga:G C

Profesori universitar Blerim Latifi ka thënë se moslejimi i mbajtjes së referendumit serb është fitore e Kosovës përballë përpjekjeve të vazhdueshme të Serbisë për ta minuar funksionimin e shtetit të Kosovës.

Latifi përmes një postimi në Facebook tha se Serbia duhet të mësohet me idenë se në Kosovë nuk mund të sillet sipas tekeve të saj.

“Nuk kishte si të vepronte ndryshe pas qëndrimit të OSBE- së se pa bashkëpunimin e palës kosovare ajo nuk do të mund të veprojë. Kjo është një fitore e Kosovës përballë përpjekjeve të vazhdueshme të Serbisë për ta minuar funksionimin e shtetit të Kosovës. Natyrisht, duhen njohur meritat e qeverisë në arritjen e këtij suksesi. Serbia duhet të mësohet me idenë se në Kosovë nuk mund të sillet sipas tekeve të saj. Është në dorën tonë që t’ia mundësojmë këtë mësim. Pak nga pak. Hap pas hapi”, shkroi Latifi.

Postimi i plotë i Blerim Latifit:

Kur qeveria doli me qëndrimin se nuk do ta lejojë referendumin e Serbisë në Kosovë, partitë opozitare dolën me të njëjtin qëndrim. Pastaj nisi presioni ndërkombëtar kundër këtij qëndrimi.

Partitë opozitare filluan të lëkunden. U thirr seanca parlamentare. Sigurisht qeverisë i duhej një mbështetje nga i gjithë spektri politik shqiptar që të fuqizonte qëndrimin e saj. Partitë opozitare e gjykuan gabimisht këtë veprim, duke parë në të një lojë të Kurtit për shpërndarjen e përgjegjësisë. Duke besuar se kryeministri do të turpërohej të dielën, PDK u tërhoq krejtësisht edhe nga pjesëmarrja në seancë, ndërsa LDK dhe AAK nuk e bënë këtë gabim taktik. Tash Serbia qenka tërhequr nga planet për ta mbajtur referendumin në Kosovë.

Nuk kishte si të vepronte ndryshe pas qëndrimit të OSBE- së se pa bashkëpunimin e palës kosovare ajo nuk do të mund të veprojë. Kjo është një fitore e Kosovës përballë përpjekjeve të vazhdueshme të Serbisë për ta minuar funksionimin e shtetit të Kosovës. Natyrisht, duhen njohur meritat e qeverisë në arritjen e këtij suksesi. Serbia duhet të mësohet me idenë se në Kosovë nuk mund të sillet sipas tekeve të saj. Është në dorën tonë që t’ia mundësojmë këtë mësim. Pak nga pak. Hap pas hapi.