Lajme

Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare tregon ngecjet dhe anët pozitive

10/13/2022 21:35
nga:G B

Dje është publikuar Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën, në të cilin janë paraqitur vlerësimet për secilën fushë.

Raporti ka theksuar që Kosova duhet ta zbatojë formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, arritjen e marrëveshjes finale Kosovë-Serbi, pastaj presionet politike ndaj gazetarëve.

Lidhur me të gjeturat e këtij raporto, Shqiprim Pula, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, thotë për Gazeta Blic se vlerësimet janë relative, teksa thekson se thelbësore është konsistenca e përmbushjes së objektivave si shtet dhe shoqëri.

“Vlerësimet mbi raportin mund të jenë krejtësisht relative sepse vlerësimet mund të jenë subjektive e herë objektive. Çfarë është thelbësore lidhur me raportin është konsistenca e përmbushjes së objektivave si shtet dhe shoqëri, duke mos devijuar në forcimin e shtetësisë dhe rrugës Europiane, meqë është përcaktim i yni politikë shtetëror”, thekson ai.

Se a është vlerësim pozitiv ky raport për Kosovën, Pula vlerëson se ka tema që kanë vlerësime pozitive e të tjera që kanë kritika dhe ngecje, derisa sipas tij, raporti vë theksin te fusha që Kosova qëndron më mirë këtë vit.

“Vlerësimet e përvjetshme të Komisionit Europian kundrejt Kosovës, janë sikur (figurativisht) tastierët e bardhë dhe tastierët e zinj të pianos, e asnjëra nuk bën pa tjetrën. Pra, për tema të caktuara ka vlerësime pozitive e për disa që kanë ngecje ka edhe kritika. Raporti vë theksin tek shumë fusha ku Kosova qëndron më mirë se sa vitin paraprak dhe se përkushtimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës vlerësohet në përmbushjen e kërkesave që derivojnë nga Marrëveshja e Stabilizimit Asocimit dhe planifikimi legjislativ që ndërlidhet me Qeveri-Kuvend. Ngase, kjo, tregon qartë përkushtimin e vendit lidhur me agjendën e UE-së”, potencon ai.

Ndërsa, lidhur me mangësitë e cekura dhe që duhet përmirësuar, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare përmend gjyqësorin, ku ka dhe ngecje.

“Vlerësimet që më së paku gjithsecili do të donte t’i lexonte, në këtë raport, ka të bëjë me pushtetin e tretë, pra gjyqësorin; si dhe me adresimin dhe trajtimin jo në kohë të agjendës legjislative në Kuvend. Ky raport i përvjetshëm, është quajtur edhe si ‘raport i progresit’, andaj dhe, pasqyron qartë se në cilat sfera kemi progres e ku kemi ngecje. Por çfarë është me rëndësi po ashtu të ceket është, që Kosova, institucionet e saj ligj-zbatuese kanë treguar një luftë më të ashpër kundër hajnisë (korrupsionit) e krimit, duke u renditur në pozicion shumë më mirë se të paktën vendet e rajonit”, deklaron Shqiprim Pula./Gazeta Blic/