Lajme

Raporti i DASH-it/ Fetoshi: Gjetjet më shqetësuese për korrupsionin e rëndë qeveritar – qeveria demantohet për aferat korruptive

04/23/2024 22:18
nga:G B

Profesori Arben Fetoshi, ka komentuar raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën.

Ai në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se raporti fatkeqësisht konstaton probleme të shumta, duke nisur nga korrupsioni qeveritar.

“Raporti i Departamentit të Shtetit për fat të keq konstaton probleme të shumta në Kosovë me korrupsionin qeveritar, pavarësinë e gjyqësorit, kufizime serioze të lirisë së shprehjes e lirisë së medieve dhe rritje të dhunës ndër-gjinore”, thotë ai.

Sipas Fetoshit, gjetjet më shqetësuese janë ato për korrupsionin e rëndë qeveritar, pasur parasysh premtimet e VV-së para ardhjes në pushtet.

“Gjetjet më shqetësuese të raportit janë ato që kanë të bëjnë me korrupsionin e rëndë qeveritar, sidomos kur kemi parasysh premtimet e Lëvizjes Vetëvendosje para ardhjes në pushtet dhe përpjekjet e tashmë për një narrativë mashtruese sa i përket luftimit të korrupsionit”, shprehet ai për Gazeta Blic.

Profesori vlerëson se aferat e ndryshme korruptive të qeverisë janë publike por që konfirmimi nga raporti i DASH-it e demanton qeverinë.

“Aferat e ndryshme (me ambasadorin Berishaj, shefin e KEK-ut, rezervat shtetërore apo tenderët njëburimorë) janë raportuar gjerësisht dhe janë të njohura për opinionin, por konfirmimi nga raporti i Departamentit të Shtetit, e demanton qeverinë dhe shërben si referencë e besueshme për mungesën e rezultateve”, thekson Fetoshi.

Ndërsa, lidhur me lirinë e mediave, ai thotë se “vlerësimet për lirinë e shprehjes apo sulmet ndaj gazetarëve, i bëjnë edhe më të ashpra dështimet e institucioneve në raport me demokracinë në Kosovë”./Gazeta Blic/

Arifi për raportin e DASH-it: Gjithmonë i saktë për Kosovën, korrupsioni fenomen i paparë, rrezikon të bëhet pjesë e qeverive