Lajme

Ramadani: S’ka Qeveri ‘Kurti 3’, ka zgjedhje të parakohshme parlamentare!

10/14/2025 18:46
nga:Y I

Pas konstituimit të Kuvendit Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka mandatuar Albin Kurti për të formuar Qeverinë e re.

Qeveria e re duhet të formohet brenda 15 ditësh dhe afatet tashmë kanë filluar duke ‘rrjedhur’.

Në lidhje me këtë çështje se a pritet të formohet Qeveria ‘Kurti3’ dhe kë mund të ketë partner koalicioni të mundshëm, ka folur për “Gazeta Blic” njohësi i zhvillimeve politike në vend, Burim Ramadani.

Ramadani tha se nuk duket që ka shumicë parlamentare në përkrahje të Qeverisë së re të Kurtit.

Ai potencoi se momentalisht maksimumi i votave në Parlament për Qeverinë ‘Kurti 3’ është 56.

Ramadani u shpreh se s’ka Qeveri Kurti 3 dhe s’e do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Nuk duket që ka shumicë parlamentare në përkrahje të Qeverisë së re të Kurtit.Në të vërtetë, krejt arsyeja e bllokadës që nga prilli është fakti që nuk ka shumicë parlamentare që e vazhdon qeverisjen nga Kurti dhe LVV.Sikurse është e qartë, momentalisht maksimumi i votave në Parlament për Qeverinë Kurti 3 është 56, asnjë më shumë.Se çka pritet të ndodh gjatë këtyre 11 ditëve të mbetura nuk është krejtësisht e panjohur.Kurti besoj unë do të shkruajë sërish letra për Abdixhikun, të cilat janë kryesisht formë e tentimit për t’i lënë fajin LDK-së”

“Thjesht, nuk ka Kurti 3.Por, ka zgjedhje të parakohshme parlamentare” deklaroi Ramadani.

Ndërsa sipas Ramadanit, tentimi për të blerë deputetë, duket si opsion i pasuksesshëm.

“Tentimi për të korruptuar dhe blerë deputetë individual (të paktën përmes narracionit publik të quajtur si “bindje”) duket të mbetet operacion i pasuksesshëm.Fatmirësisht kjo nuk funksionoi, sepse shkatërrimi i demokracisë do të ishte një dëm i jashtëzakonshëm për Kosovën” tha njohësi i zhvillimeve politike, Burim Ramadani, në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.

/Gazeta Blic/

AAK e prerë: “S’ka Qeveri ‘Kurti 3’ dhe s’ka bashkëpunim me Albin Kurtin”