Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e ka mandatuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të formuar Qeverinë e re.
Vendimi i Osmanit erdhi një ditë pasi Kuvendi u konstitua plotësisht me votimin edhe të nënkryetarit nga komuniteti serb.
Sipas Kushtetutës së vendit, Albin Kurti tani i ka 15 ditë kohë t’ia paraqesë Kuvendit të Kosovës përbërjen dhe programin e Qeverisë për miratim.
E derisa ka filluar ‘rrjedhja’ e afateve, “Gazeta Blic” ka kontaktuar me subjektin politik, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, për t’i pyetur se a do të jetë pjesë e Qeverisë ‘Kurti 3’ nëse kanë ofertë nga këta të fundit.
Ish-deputeti i kësaj partie, Pal Lekaj, tha se nuk pret të ketë Qeveri ‘Kurti 3’.
Ai tha se kjo nuk pritet të ndodhë pasi qytetarët janë të lodhur nga premtimet boshe dhe arroganca e pushtetit aktual.
Lekaj tha se vendi ka nevojë për ndryshim të thellë dhe sipas tij jo edhe për një mandat tjetër të dështimit.
“Jo, nuk pres të ketë Qeveri Kurti 3, sepse qytetarët janë lodhur nga premtimet boshe dhe arroganca e pushtetit aktual. Kjo qeveri ka dështuar në ekonomi, në sundimin e ligjit, në energji dhe në raportet me aleatët ndërkombëtarë. Është e qartë se vendi ka nevojë për një ndryshim të thellë, jo për një mandat tjetër të dështimit” deklaroi ish-deputeti dhe zyrtari i lartë i kësaj partie, Pal Lekaj.
Ai tutje tha se nuk do të hynin në Qeveri me LVV-së për interesa personale apo për karrige.
Sipas Lekajt, derisa Kurti të vazhdojë me këtë stil qeverisjeje autoritare nuk ka asnjë mundësi bashkëpunimi me të.
Sa i përket AAK-së, ne nuk hyjmë në qeveri për interesa personale apo për karrige. Nëse ndonjëherë ka një ofertë, ajo duhet të bazohet në parime, program dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve, jo në pazare politike. Derisa Kurti të vazhdojë me këtë stil qeverisjeje autoritar e të izoluar, nuk ka asnjë mundësi bashkëpunimi me të” tha Lekaj në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.

Pal Lekaj, AAK!
/Gazeta Blic/


