Ylber Ramadani po bën shumë mirë në Skoci tek Aberdeen dhe e ka merituar ftesën e trajnerit Sylvinho për ndeshjen ndaj Polonisë. Shqipëria luan të hënën e 27 marsit në Varshavë, duelin e parë të eliminatoreve të Euro 2024.
26-vjeçari foli rreth situatës dhe atmosferës te kuqezinjtë, trajnerit Sylvinho dhe sfidës ndaj skuadrës së Robert Lewandowskit.
“T’i qasemi ndeshjes nga fillimi me seriozitet. Të bëjmë maksimumin për të marrë rezultat pozitiv. Sylvinho është shumë pozitiv deri tani, na ka dhënë shumë përkrahje. Ai krijon atmosferë kur stërvitet me ne.
Titullar? Unë do të bëj maksimumin, do të ushtrohem fort, por vendos trajneri. Ne duhet të përkrahim njëri-tjetrin. Ekipi është shumë i mirë, grupi është shumë i mirë, por duhet të marrim më shumë besim dhe përgjegjësi.
Goli? Duhet të provojmë më shumë portën, të bëjmë më shumë goditje në portë për të mbërritur te goli.
Duhet të merremi me detajet, pasi aty vendosen ndeshjet. Të jemi të përqendruar nga minuta e parë deri tek e fundit. Do të bëj maksimumin për Kombëtaren”, përfundoi mesfushori dardan.