Lajme

Qeveria për Marrëveshjen e Washingtonit që mbështetet edhe Biden: S’ka ligjshmëri!

06/18/2021 17:21
nga:M K

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, në një intervistë të dhënë në fillim të muajit maj, kishte thënë se Administrata e Presidentit Joe Biden edhe zyrtarisht ka konstatuar se Marrëveshja e Washingtonit duhet të jetë baza për bashkëpunimin e mëtejshëm.

Kosnett kishte thënë se Kosova dhe Serbia duhet t’iu përmbahen zotimeve dhe të punojnë së bashku për realizimin e Marrëveshjes.

“Administrata e Biden-it ka konstatuar edhe zyrtarisht që Marrëveshjet e Washingtonit duhet të jenë bazë për punën tonë përpara. Ne besojmë se Kosova dhe Serbia duhet t’u përmbahen këtyre zotimeve dhe të punojnë së bashku”, ka thënë Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip Kosnett, në një intervistë për Radio Televizionin 21.

Megjithatë pavarësisht këtij qëndrimi zyrtar të Administratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga Qeveria e Kosovës thonë se Marrëveshja e Washingtonit s’ka ligjshmëri për të qenë në Qeveri.

Kështu ka thënë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Perparim Kryeziu në një intervistë për Ekonomia Online.

“Për ta përsëritur një qëndrim të kamotshëm të kryeministrit Kurti më duhet të them se së pari ai dokument nuk e ka vlerën dhe natyrën juridike të një marrëveshjeje për shkak se asnjë nuk është sjellë në Kuvend as për t’u diskutuar as për ta marrë mbështetjen e Kuvendit dhe si i tillë me të drejtë është quajtur si dokument me zotime të njëanshme të një Qeverie e cila në kohën e nënshkrimit të këtij dokumenti ishte pa legjitimitet dhe më pastaj në ndërkohë u pat vërtetuar se nuk gëzon ligjshmërinë e nevojshme për të qenë në Qeveri. Përtej asaj ne jemi në kontakt me ShBA-në për të punuar së bashku për temat të cilat kanë interes të përbashkët”, ka thënë Kryeziu.

Edhe kryeministri Kurti pati premtuar se Marrëveshja e Washingtonit nuk do të implementohej, meqë sipas tij, ajo ishte nënshkruar nga një kryeministër i paligjshëm.

“Kur të kthehemi në detyrë, nuk kemi obligime ndaj zotimeve të një kryeministri të paligjshëm të Kosovës. Nënshkrimi poshtë teksteve jokoherente dhe jotransparente është kundër vullnetit të popullit, rendit demokratik dhe shkel kushtetutën. Ato nuk do të ratifikohen në Parlamentin tonë”, kishte shkruar Albin Kurti.