Lajme

Qeveria liron profesionistët shëndetësorë nga diaspora nga obligimi për pajisje me Leje Pune Afatshkurtër

09/30/2022 16:03
nga:Astrit Gashi

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së premtes ka liruar nga obligimi për pajisje me Leje Pune Afatshkurtër, profesionistët shëndetësor të cilët konsiderohen pjesëtarë të diasporës e të cilët me kërkesë të institucioneve shëndetësore angazhohen përkohësisht në këto institucione.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se ky vendim pritet të jetë nisje e një stadi reformues të shëndetësisë.

“Duke uruar që ky vendim të jetë edhe nisja e një stadi transformues të shëndetësisë. Duke marrë në konsideratë rëndësinë e sjelljes së kapitalit njerëzor nga mërgata kërkoj miratimin e këtij propozim vendimi”, ka thënë Sveçla.

Qeveria ka miratuar po ashtu projekt-udhëzimin administrativ për licencimin e profesionistëvë shëndetësorë të huaj

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka thënë se po shënohet një epokë e re bashkëpunimi me mërgatën.