Situta në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak vazhdon të jetë e njëjtë, njofton Gazeta Blic.
Edhe pas gjashtë ditësh nga vendosja e Reciprocitetit për targat, këto dy pika kufitare vazhdojnë të mbeten të bllokuara nga pala serbe.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, duke folur për “Gazeta Blic” në lidhje me situatën, tha se veprimet e palës kosovare janë konformë marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai tha se veprimet e ndërmarra nga serbët janë në koordinim me Qeverinë e Beogradit e cila tenton të krijojë tensione artificiale.
“Veprimet e institucioneve të Kosovës që ndërlidhen me targat është zbatim i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë e cila ishte nënshkruar në Bruksel. Gjithçka është konform ligjeve dhe interesit nacional të Kosovës. Kjo e ka tensionuar pak situatën në veri të vendit, ku serbët kanë ndërmarrë një sërë veprimesh në koordinim me qeverinë e Beogradit. Njësitë Speciale të policisë së Kosovës nuk janë atje kundër civilëve serbë por janë për të mbrojtur pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak. Ne kemi një përvojë të hidhur ku serbët lokalë të dirigjuar nga strukturat paralele të sigurisë së Serbisë kanë bërë djegjen e pikave kufitare. Ky tensionim i kësaj situte është tensionim artificial i qeverisë së Beogradit e cila dihet që qëllimi i saj është shkëputje e Veriut të Mitrovicës nga territori i Republikës së Kosovës. E njëjta është duke ndodhur edhe kësaj here dhe veprimet e qeverisë së Kosovës dhe e policisë dhe institucioneve të tjera të sigurisë janë në mbrojtje të rendit dhe sigurisë publike të Kosovës”
Islami theksoi se kjo situatë mund të zgjasë edhe më tutje.
Ai thotë se Njësitë Speciale të Kosovës do të duhej që të tërhiqeshin vetëm me një kusht, që të marrin garanci nga Eulex dhe KFOR që serbët lokalë nuk do të shkojnë që t’i djegin pikat kufitare .
“Kjo situatë mund të zgjasë edhe më tutje sepse shkuarja e Njësisë Speciale të Kosovës është demostrim i sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Kjo situatë mund të vazhdojë edhe më tutje por Njësitë Speciale të Kosovës nuk do të duhej që të tërhiqeshin, vetëm me një kush që të marrë garanci nga Eulex dhe KFOR që serbët lokalë nuk do të shkojnë që t’i djegin pikat kufitare dhe të zbatohet në tërësi marrëveshja për Reciprocitet për targat” tha Islami për “Gazeta Blic.
Edhe eksperti i sigurisë, Drizan Shala, përgëzoi punën e Njësive Speciale të Kosovës bërë në Veri të vendit gjatë këtyre ditëve.
Ai tha se duhet koordinim mes Qeverisë dhe Ambasadës Amerikane për ta tejkaluar këtë situatë.
“Gjendja e siguris është duke monitoru dhe menaxhuar shumë mirë nga ana e pjestareve të Njesive Speciale të Policisë se Kosoves.Qeveria e Kosoves respektivisht Kryeministri dhe Ministri i MPB duhet urgjentisht që të harmonizojnë çdo veprim për të kaluar këtë situatë me Ambasaden Amerikan në nivel politik” tha Shala për “Gazeta Blic”.
Para pak minutash Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi se persona të dyshimtë kanë djegur Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin potok dhe kanë sulmuar Qendrën e Regjistrimit Civil në Zveçan.
Sveçla i cilësoi këto sulme akte kriminale me qëllime terroriste dhe ftoi qytetarët në Veri të mos dirigjohen nga askush.
/Gazeta Blic/


