Lajme

Qëndrimi i Malit të Zi për ‘Ballkanin e Hapur’, Fetahu: Kosova, çdo lëvizje ta bëjë me kushte

05/31/2022 14:45
nga:G B

Që nga fillimi Kosova ka qenë kundër iniciativës ‘Ballkani i Hapur’.

Ky kundërshtim po vazhdon ende, e kjo u bë edhe nga presidentja Vjosa Osmani në Samitin e Demokracisë në Evropën Juglindore, të mbajtur në Mal të Zi të hënën.

Në anën tjetër, Mali i Zi i cili ka qenë kundër kësaj iniciative, tashmë duket se do t’i bashkohet, derisa pro saj është deklaruar kryeministri Dritan Abazoviq.

‘Ballkani i Hapur’ është nismë e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

E për, hulumtuesin nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Arbër Fetahu, kjo nismë e favorizon Serbinë, si një lloj lidere e Ballkanit dhe se Kosova derisa nuk njihet nga Serbia, nuk ka pse t’i hapë dyert për të.

“‘Ballkani i Hapur’ e favorizon Serbinë si tregu më i madh i rajonit dhe i jep asaj përparësi dhe rolin e shteti kyç në Ballkan, në këtë mënyrë i hap shtigje të jetë një lloj lidereje e Ballkanit dhe për të mbivendosur veten mbi të tjerët, prandaj Kosova nuk ka arsye t’ia hapë këtë rrugë Serbisë, marrë parasysh që ajo së pari nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, e bllokon Kosovën në çdo iniciativë ndërkombëtare, dhe së dyti me anë të mjeteve të saj ekonomike dhe mundësisë së lëvizjes së mallrave kërkon që ta fuqizojë pozitën e saj, duke mos e përfillur subjektivitetin e Kosovës”, thotë Fetahu për Gazeta Blic.

Sipas tij, nisma ka tendencën e modelit të ish-Jugosllavisë.

”Ky model besojmë që ka një tendencë të replikimit të modelit të ish-Jugosllavisë, ku një shtet është më i fortë se tjetri dhe gjithçka është brenda karakterit regjional, prandaj edhe për këtë arsye kjo nismë është mirë që nuk është përkrahur”, thekson ai.

Fetahu vlerëson se ‘Ballkani i Hapur’ është nismë gjysmake dhe se Kosova nuk duhet të jetë pjesë e saj, derisa nuk janë as shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Po ashtu Kosova nuk ka nevojë të jetë pjesë e një lloj iniciative kur as vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë të gjitha të pranishme marrë parasysh se edhe Mali i Zi deri tani nuk ka pranuar, Bosnja dhe Kosova po ashtu, kështu që edhe nisma e ‘Ballkanit te Hapur’ ka qenë gjysmake ku tash është krijuar një lloj trio e shteteve. Besoj që këto janë arsye të shumta dhe të duhura pse pozicioni i Kosovës është mirë që nuk është pjesë e kësaj nisme dhe në këtë situatë është mirë që është refuzuar kategorikisht pjesëmarrja në këtë iniciativë rajonale”, vlerëson Arbër Fetahu për Gazeta Blic.

E derisa Mali i Zi ka ndryshuar qëndrim, hulumtuesi potencon se Kosova duhet ta konstruktojë qëndrimin e vet në interes të vetin dhe se çdo lëvizje duhet të bëhet me kushte.

“Edhe pse ka zbrapsje nga ana e ‘Malit te Zi’, Kosova duhet ta konstruktojë qëndrimin e vet bazuar në interesin shtetëror të vetin. Çdo lëvizje nëse veç do të ketë drejt ‘Ballkanit të Hapur’ duhet të bëhet me definim të qartë të kushteve, mënyrën se si do të funksionojë tregu dhe duke u bazuar në parimin e reciprocitetit të shteteve”, deklaron Fetahu./Gazeta Blic/

Milaim Zeka: Nuk ka rrezik nga Ballkani i Hapur – mos dëgjueshmëria e Kurtit do t’i kushtojë Kosovës