Lajme

Milaim Zeka: Nuk ka rrezik nga Ballkani i Hapur – mos dëgjueshmëria e Kurtit do t’i kushtojë Kosovës

05/31/2022 12:55
nga:G B

Ballkani i Hapur ka përplasur dje presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Dritan Abazoviq, në Samitin e Demokracisë në Evropën Juglindore, në Mal të Zi.

Abazoviq është shprehur pro nismës Ballkani i Hapur, derisa Kosova vazhdon ta kundërshtojë atë.

Osmani ka thënë se Ballkani i Hapur mund të pranohet vetëm nëse të gjitha shtetet trajtohen të barabarta.

Por gazetari dhe analisti Milaim Zeka thotë për Gazeta Blic se Kosova nuk ka asnjë arsye që mos t’i bashkohet Ballkanit të Hapur.

Sipas tij, mos dëgjueshmëri e kryeministrit Kurti, do t’i kushtojë shumë Kosovës.

“Mos dëgjueshmëria nga ana e Albinit do t’i kushtojë shumë shtrenjtë Kosovës”, vlerëson ai për Gazeta Blic.

Sipas Zekës, nisma “Open Balkan” i sjell vetëm të mira Kosovës, pasi do të zhduken kufijtë dhe as qytetarët e as mallrat nuk do të presin nëpër kufij.

“Mendoj që Ballkani i Hapur i sjell vetëm të mira Kosovës dhe asnjë analist s’po mund ta shpjegojë se çka është e keqe nga Ballkani i Hapur, vetëm po thonë se nuk është mirë pasi është ideja e Vuçiqit. Ideja për krijimin  e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) ka ardhur nga Brezhnev diktatori më i madh rus, e sipas logjikës ajo nuk do të duhej të ekzistonte. Ideja nuk shikohet nga vjen por shikohet a është e mirë apo jo. Në Ballkanin e Hapur ne jemi superfuqi dhe nuk paraqet asnjë rrezik. E mira e krejt të mirave është që njerëzit nuk kanë nevojë të tregojnë dokumente nëpër kufij, zhduken kufijtë, nuk kanë nevojë të presin mallrat nëpër kufij. Kjo është e ardhmja e Ballkanit. Mini Skandinavia duhet të krijohet, të mos kontrollohen pasaportat”, potencon ai./Gazeta Blic/