Lajme

Qasja e Kurtit, paralajmërohen largime të reja nga LVV-ja?!

03/22/2023 19:18
nga:Y I

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, sot zyrtarisht ka konfirmuar dorëheqjen nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Dorëheqja e Humollit, vjen pas asaj të deputetes Doarsa Kica-Xhelili, e cila u largua një vit më parë nga ky subjekt politik për t’iu bashkuar LDK-së.

Pakënaqësi me partinë të cilën përfaqësojnë kanë shprehur edhe disa deputetë të tjerë, të cilët nuk ia kanë dhënë votën pro VV-së, në lidhje me disa projektligje të caktuara.

Eman Rrahmani, Visar Korenica dhe Gramos Agusholli, ishin shumë të zëëshëm dhe po ashtu votuan kundër Projekt Kodit Civil.

Rrahmani përveç Kodit Civil ka kundërshtuar me forcë edhe Projektligjin për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar.

Edhe një deputet tjetër i Grupit Parlamentar të LVV-së që ka shprehur hapur pakënaqësi me subjektin politik të cilin përfaqëson është Haki Abazi.

Abazi ka mbajtuar postin e zëvendëskryeministrit në Qeverinë Kurti 1, por pas zgjedhjeve të 14 shkurtit ai nuk mori një pozicion në qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti.

I njëjti pas pakënaqësive të shprehura në lidhja me disa çështje të caktuara, u shkarkua edhe nga pozita e kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme.

Por pse po ndodhin këto largime nga LVV-ja?

Njohësi i çështjeve politike, Shemsi Jashari, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” rënditi disa arsye pse ka pakënaqësi dhe largime brenda grupit të LVV-së.

Jashari tha se imponimi i qëndrimit për tema të rëndësishme, mungesa e vlerësimit dhe fuqizimi i personave pa peshë brenda VV-së, ka bërë që disa deputet që kanë integritet të ndihen të përdorur nga Kurti

“Mungesa e vlerësimit dhe cenzura brenda grupit,ndryshimet në qendrime,imponimi i qendrimeve për tema të rëndësishme, fuqizimi i përsonave pa pesh të votave brenda LVV-së, ka bërë që disa deputet që kan integritet të ndihen të përdorur nga z.Kurti dhe kan filluar të shprehin kundërshtimet edhe hapur e edhe me largim siç ishte rasti i z.Humolli”, thotë ai.

Jashari paralajmëroi edhe largime të tjera nga ky subjekt politik nëse kryeministri Kurti nuk ndryshon qasje.

“Secili deputet përfaqëson një kategori të caktuar të shoqërisë, prandaj kan obligim që mandatin ta kryejn konformë madatit që kanë marrë dhe kundershtimet janë normale kur nuk ka dialog të brendëshëm dhe kur ka injorim nga struktura drejtuese.Mendoj se nuk do të jet ky rasti i fundit që deputet të LVV-së, do të largohen nëse nuk ndryshon qasje zoti Kurti”, deklaroi Jashari për “Gazeta Blic”

Ndërsa analisti, Arbnor Sadiku, thotë se ndryshimi i  qëndrimeve nga Kurti sa i perket dialogut ka sjell zhgënjim tek disa deputet të LVV-së.

“Natyrisht që një parti si VV mund të ketë shumë justifikime që nga mosrealizimi i interesave personale, partiake, si dhe ideologjike etj. Së fundmi ka ndikuar pranimi i marrëveshjes për normalizim ndërmjet Kosoves dhe Serbisë, pasi që brenda saj e ka edhe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, që deri sa ka ardh ne pushtet LVV-ja e ka kundërshtuar me të gjitha mjetet konvencionale dhe jo komvencionale, dhe disa deputet të LVV-së tani ndjehen të zhgënjyer dhe të mashtruar nga lideri i LVV-së, z Kurti” tha Sadiku për “Gazeta Blic”

Lëvizja Vetëvendosje fitoi me mbi 50% të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

Në vend të dytë u rendit Partia Demokratike e Kosovës, në vend të tretë Lidhja Demokratike e Kosovës ndërsa në të katërtin AAK-ja.

/Gazeta Blic/

Votimi në Kuvend: Fatmir Humolli del kundër LVV-së